Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në përfundim të mbledhjes së Kryesisë tha se diskutimet kanë qenë të frytshme, duke nënvizuar se është garant që procesi i nisur në PD të jetë i vërtetë. Sipas tij, ky transformim i PD do t'i paraprijë teansformimit që duan shqiptarët.

-Z Basha a kemi një datë për Kuvendin Kombëtar?

Basha: Po, kemi dhe është vendosur me vendim unanim të kryesisë të PD-së, e cila është data 28 dhe 29 Prill, kur Kuvendi Kombëtar i PD-së do të zhvillohet në Tiranë dhe do të marrë vendimet e rëndësishme për Partinë Demokratike, një parti e anëtarëve, si një parti e shqiptarëve që do t’i prijë një transforimimi të thellë politik dhe ekonomik të vendit. Kështu që, ju falenderoj për durimin dhe praninë tuaj gjatë kohës që është zhvilluar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike.

Diskutimi ka qënë jashtëzakonisht i frytshëm. Padyshim që ka mendime kritike. Pa i rrahur mendimet nuk mund të shkohet në vendime ,të cilat përfaqësojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve të kryesisë. Edhe njëherë dëshiroj të falenderoj anëtarët e kryesisë për frymën e përgjegjësisë me të cilën diskutuan gjatë ditës së sotme. Falenderoj të gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike, që ka përmbyllur një proces analize, konsultimi, propozimesh dhe t’i kujtoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike se shqiptarët e shohin këtë jo thjesht si një proces brenda Partisë Demokratike, por si procesi nga i cili do të lindë një shpresë dhe një rrugë e re për çdo shqiptare dhe shqiptar.

-Z Basha a do ta shfrytëzoni periudhën deri në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për tu ulur me kritikët, që të mos shkoni të përçarë?


Basha: Kryesia ka miratuar vendimet, të cilat do t’i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal por i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë të PD si parti e anëtarëve, për këtë transformim të PD-së që do t’i paraprijë transforimit që presin shqiptarët.

/Ora News.tv/