Edhe pse tepër aktiv, Julian Deda, mbeti jashtë listës së Bashës në zgjedhjet e shkuara parlamentare.

I ftuar në BOOM, aktori komentoi ndjesinë që i la shefi i opozitës me këtë zgjedhje, edhe pse nuk e fsheh lumturinë që është në skenë dhe jo në teatrin parlamentar.

Deda rrëfeu edhe takimin e parë dhe të fundit me Edi Ramën, por edhe simpatinë për ish-kryeministrin Berisha si politikan.

Fjori Dardha: Si nuk të futi Lul Basha në listë?

Julian Deda: I poshtër shumë, më la tani të merr me ju, me 2XL. Nuk kam marrëdhënie fare me Bashën, nuk kryejmë marrëdhënie. Nuk e di pse nuk më futi në listë, u çava atje tek dera e PD-së gjithë ditën. Kisha marrë dhe një pankartë: "Aman!" Por nuk bëhej fjalë. Tani do merrem me ju.

Fjori Dardha: Si është ti bësh opozitë opozitës?

Julian Deda: Nuk i bëj opozitë opozitës, asgjë. Unë them ato gjëra që mendoj, mendoj se i them të vërteta. Dikush tjetër do ta vendosë.

Rozana Radi: Pse u fute në këtë valle, je gjithë ky aktor?

Julian Deda: E para jam Mjeshtër i Madh që ta dish (qesh). Ilir Meta na ka ngelë Fjori pa Mjeshtrin e Madh. Që po thoja, unë them ato që mendoj pastaj njerëzit të vlerësojnë. Nuk jap receta, kështu e mendoj, kështu e them.

Fjori Dardha: Po të ishe deputet nuk do të përdorje këtë gjuhë sot në fb.

Julian Deda: Po të isha deputet do të isha shumë më radikal.

Fjori Dardha: Flas në raport me liderin e opozitës.

Julian Deda: Kush të tha? Nuk është e vërtetë, unë nuk ha bukë nga politika, vi në politikë nga profesioni im. Po flasim për një "nëse". E dua skenën akoma. Jam i lumtur që jam akoma në skenë dhe nuk jam aty ku grijnë paçavure.

Fjori Dardha: E mbarove kredinë e shtëpisë?

Julian Deda: Mora një tjetër, kur do vijë dita ta sikterros se u çmenda. Jam pak psikovampir. Psikovampiri është një person që duke debatuar me ty, të gjen pikën tëndë më të dobët dhe i mëshon asaj derisa ty të telendis, të lodh dhe pastaj fillon edhe të shkelmon. Artistët e kanë këtë në përgjithësi, e kam unë, e ka Edi Rama. Ia ka gjet pikën e dobët kryetarit të opozitës dhe aty dap dap dap.

Rozana Radi: Përballja jote e parë me Edi Ramën?

Julian Deda: E para dhe e fundit në 2XL. Ka qenë i ftuar kur ishte kryetar bashkie. I gjatë, dridhej nga emocionet. Ai ka një sjellje genetike, duket i çkompleksuar. Kjo sjellja është për të mbuluar komplekset e mëdha që ti ke. Ai e ka atë aftësi por kur erdhi në 2XL, jo vetëm ai por të gjithë të ftuarit që nuk kanë lidhje me fushën tonë, politikanë, janë stepur pak. Edhe ata që i shohim të shpenguar kur vinë tek ne janë ndryshe. Nuk ndihen mirë se nuk janë si në shtëpi të vet, edhe Edi Rama nuk bëri përjashtim nga kjo.

Fjori Dardha: Berishian i thekur?

Julian Deda: E kam dhënë këtë përshtypje? Absolutisht kam shumë respekt dhe është një model shumë i mirë politik për tu ndjekur, por nuk është problemi se e bëj këtë për të treguar... Por jam absolutisht partizan i atij lloj profili të bërit opozitë.

Fjori Dardha: Me Shkelzen Berishën çfarë marrëdhëniesh ke?

Julian Deda: Kam marrëdhënie shumë të mira shoqërore se biznesi nuk na lidh. Është një nga miqtë e mi më të mirë. Por kjo nuk ëshsë çështja se unë jam pro kësaj. Unë jam vetë si natyrë agresive, jam më radikal si natyrë dhe dua që gjërat të zgjidhen në mënyrë të shpejtë. Rama ka kohë boll të presë, Luli ka kohë boll, populli nuk ka kohë, Shqipëria nuk ka kohë.


/Ora News.tv/