Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, akuzoi Taulant Ballën dhe dy deputet të tjerë socialistë të cilët nuk i përmendi me emër se janë përgjuar në Athinë  nga shërbimet e huaja  duke bërë pazare. Në parlament, Kryetari i demokratëve,  tha se në 10 muaj mazhoranca ka qelbur me afera kriminale dhe korrutive vendin dhe Europën. Por Taulant Balla në replikë, akuzoi Bashën për lidhje me dy kushërinjtë Vladi,  të shpallur në kërkim për eurot e sekuestruara në Durrës, ndërsa hodhi dyshimin se ata kanë financuar çadrën e lirisë.   

Kryetari i Partisë  Demokratike, Lulzim Basha, bëri në parlament një bilanc të 10 muajve të qeverisë, ndërsa tha se tashmë çdo akuzë e tij  për lidhje të qeverisë me krimin, drogën dhe pastrimin e parave është faktuar.

Basha: Edhe pse isha i bindur që këto gjëra do të ndodhnin, as unë vetë nuk e kisha menduar që brenda 10 muajve ato, jo vetëm do të provoheshin plotësisht, por në një kohë kaq të shkurtër, i gjithë pushteti do të degradonte, kalbëzohej dhe falimentonte plotësisht. Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se e gjithë Evropa në 10 vjet. Këta 10 muaj e keqja shpërtheu dhe po qelb gjithë Shqipërinë dhe Europën.

Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, akuzoi Bashën për lidhje me porositësit parave të sekuestrura në Durrës, duke theksuar se ata sponsorizonin çadrën e lirisë.

Balla: Asnjëherë nuk do ta harroj pa përmendur fjalën e zt.Topalli që thoshte ky të rren edhe kur e pyet sa është ora. Ti ke treguar se burrëri fjale nuk ke. Balili në 2009-2011 ka qenë kandidati yt, i PD. Në 2013-2015-2017, është anëtari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ki burrërinë çohu këtu dhe thuaj të kundërtën ti rrenacak. Sa për lidhjen, ditën e martë të pres në Gjykatën e Krimeve të Rënda Lulzim. Ky personi në zyrën tënde është vëllai i dy personave në kërkim. Ky ka qenë me dhjetëra herë në çadrën e lirisë tënde. Madje marr përsipër të shpreh dyshimet se dy personat në kërkim kanë qenë sponsorizues të mirëmbajtjes së çadrës tënde. 

Por Basha këtë akuzë e cilësoi si tërheqje vemëndje  ndërsa  foli për përgjim të deputetëve socialistë nga agjencitë partnere ndërkombëtare.

Basha: Derrkuci i Toyota Yaris do të heq vëmendjen nga rendi i ditës. Derrkuci i Toytoa Yaris më akuzon mua se kam dalë me vëllain e personave që u dyshokan se janë parave të Toyot-s. Ju keni vëllain e trafikantit të dënuar ministër të Brendshëm. Hani darka dhe dreka me të. Merreni dhe arrestoni nëse është i dyshuar.

Derrkuci i Toytoa Yaris, garanti i parave të pista të drogës dhe nja dy të tjerë që nuk qenkan në sallë këtu, jeni të përgjuar nga shërbimet partnere. Nuk keni për t'i shpëtuar dot kësaj. Jeni të përgjuar nga shërbimet partnere duke bërë pazar me Bacën në Selanik. Ah sa keq! Shërbimet tona flenë gjumë. E keni kapur SHISH-n, po tjerat nuk i kapni dot. Jeni të përgjuar duke dhënë garanci. Ua kanë vënë kryqin. Nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Romë. Ua kanë vënë kryqin. Kryqin e madh do t'ua vënë shqiptarët shumë shpejt.

Një thirrje kryetari i opozitës e kishte edhe për Ambasadorët në Tiranë.

Basha: Mos gënjeni veten tuaj zotëri ambasadorë se shqiptarët nuk gënjehen më. Peshqit e mëdhenj janë në krahët e tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në Parlament. Edi Rama zgjodhi krimin dhe jo Shqipërinë dhe sot ai nuk del dot më nga vatha e krimit.

Ai nuk është thjesht një politikan ballkanik i korruptuar dhe i inkriminuar, ai është një politikan i kapur dhe kontrolluar tërësisht nga krimi. Shqipëria ka nevojë për ndryshime të mëdha, por ndryshimi i parë është largimi i Edi Ramës dhe regjimit të tij kriminal. Vetëm atëherë Shqipëria do të shohë përpara me optimizëm.


/Ora News.tv/