Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave, Arben Ahmetaj se qëndrojnë pas projekteve të ndërtimit të tre inceneratorëve për djegien e mbetjeve në Shqipëri. Sipas tij, ky është shkaku që kompanive u janë dhënë fondet ende pa filluar ndërtimi.

Basha: Duke patur parasysh shkeljet skandaloze të ligjit në ndërtimin e këtyre tre inceneratorëve, duket qartë që pronarët e vërtetë janë Arben Ahmetaj dhe Edi Rama. Sepse vetëm Arben Ahmetaj dhe Edi Rama mund të kishin guximin të jepnin 4.8 milion euro ndërtuesit të inceneratorit të Fierit, akoma pa filluar punë. 

Është faqja tjetër e medaljes së kanabizimit të Shqipërisë. Me kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama eksporton drogë drejt Evropës, me incineratorët importon mbetje. Ky është plani fillestar. 

Kreu i PD-së kërkoi nisjen e hetimeve prej KLSh-së dhe Prokurorisë. Sipas Bashës, po parashikohen të jepen miliona euro në vitet e ardhshme.

Basha: Thirrja ime është ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, të nisin menjëherë hetimin dhe të vërë pikat mbi “i”, për ata që po dëmtojnë shtetin publik të shqiptarëve nga njëra anë, dhe po grabisin fondet shtetërore, fondet e taksapaguesve shqiptarë nga ana tjetër. Kjo është një aferë e përmasave kriminale.

Po ashtu Basha kritikoi ndërtimin e dy inceneratorëve të tjerë në Korçë dhe Rrogozhinë.


/Ora News.tv/