Ndërsa në Kuvend pritet të votohet rrëzimi i dy dekreteve të presidentit për koncesionet Milot-Balldre dhe Orikum Dukat, kreu i Partisë Demokrative, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu paralajmëroi të gjithë deputetët që do të ngrejnë kartonin se do të mbahen shënim dhe do të jenë subjekt i ligjit antimafia.

Kryetari i Partisë Demokratike ka paralajmëruar hetim për çdo deputet dhe ministër që ka dhënë votën pro miratimit të projekteve  për ndërtimin e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum Dukat.  

Duke e quajtur këtë si finalizim të vjedhjes më të madhe të shekullit, Lulzim Basha tha se ligji antimafias dhe SPAK do të ndjekë këmba-këmbës të gjithë përgjegjësit.

Lulzim Basha: Në këto momente pak metra pas meje në kuvendin e cunguar, landfillin e Republikës së Shqipërisë po finalizohet grabitja më e madhe në historinë 30 vjeçare të pluralizmit. Koncesioni i rrugës Milot-Balldre dhe koncesioni i rrugës Orikum-Dukat. Dekreti i Presidentit për kthimin e këtyre dy kontratave korruptive po hodhet poshtë nga cjapët dhe delet e korrupsionit. Kjo është vjedhje me ligj.

Dua të paralajmëroj çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj se nesër do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat, nesër do tu ndjekim këmba-këmbës çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri e juaja do të jetë në lupën e ligjit antimafia dhe të SPAK-ut. Ajo çfarë votohet sot nga landfilli i Republikës është vjedhje me ligj.

Basha vijoi me akuzat ndaj kryeminsitrit Rama duke e cilësuar si përfituesin kryesor nga taksat e shqiptarëve që i shpërdoron ato me skemën e PPP.

Lulzim Basha: Të dashur qytetarë, formula e vjedhjes së parave tuaja është shumë e thjeshtë. Fryhet disa herë kostoja e ndërtimit të rrugëve dhe të gjithë fondet e fryra mbi koston e ndërtimit të rrugëve i merr Edi Rama, i marrin qeveritarët e korruptuar dhe klientët e tyre. Edi Rama është hajduti më i madh që ka njohur Shqipëria.

Pak ditë më parë Komisioni i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi dekretet e Presidentit për koncesionet. Sipas PD-së, vlera e parashikuar në total shkon mbi 320 milion euro.

/Ora News.tv/