'Jo pushtet personal', Basha: Me 27 janar protestojmë për të ardhmen e vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në Elbasan se aksioni opozitar që nis më 27 janar me protestën nuk bëhet për interes të ngushtë politik, por për t’i dhënë vendit një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që punon dhe jep llogari para qytetarëve.

Basha: Ajo që kërkojmë me 27 janar, nuk është për veten tonë, jo, nuk është për të bërë Lulzim Bashën kryeministër. Unë nuk dua të jem një kryeministër i ardhur nga protestë. Unë dua të jem një kryeministër i ardhur nga vota e qytetarëve shqiptarë, bazuar në programin tonë, në zgjidhjet tonë, në vizionin tonë, në vlerat tona.

Basha tha se pasoja më tronditëse e aleancës së Edi Ramës me Krimin është emigrimi i më shumë së 100 mijë të rinjve gjatë qeverisjes së tij.

Basha u shpreh se duke patur prioritet pasurimin e krimit dhe disa klientëve, që i përdor për të mbajtur pushtetin, Edi Rama ka vrarë shpresën e rinisë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

Basha: Në vetëm 4 vite janë dyfish prindër që kanë parë gëzimin e jetës së tyre t’u largohet, jo nga qejfi, jo dëshira, jo sepse kështu zgjedhin, por sepse këtu nuk kanë asnjë mundësi. Papunësia është ulur këmbëkryq. 50 biznese në ditë mbyllen, u mbyllën vitin e kaluar dhe vazhdon kjo mbyllje. Por po kështu në shërbimet shëndetësore të cilat janë në kolaps total, në arsim e kudo tjetër.

Kreu i opozitës iu referua kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini si modeli i Aleancës së Edi Ramës me krimin, i cili sipas tij ka fundosur shtetin ligjor në favor të bandave që sulmojnë policinë.

EMISIONET