Agjensia e Kombëtare e Kontrollit të Barnave nuk ka laboratorë të akredituar për kryerjen e analizave të barnave në vend. Në një audit të qershorit të  2019  të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit  rezulton se Agjensia është jo-efektive në veprimtarinë e saj.

Raporti nënvizon se për periudhën 2017-2018 Agjensia ka kryer vetëm 12% të analizave që duhet të realizonte.

KLSH ngre shqetësimin se edhe farmacitë pranë spitaleve kanë kushte jooptimale për ruajtjen e ilaçeve, ndërsa spitalet publike vijojnë të akumulojnë barna jashtë afatit të skadencës. Nga verifikimet e bëra në depon qëndrore të farmacisë në QSUT u konstatuan barna që nuk ishin të pajisura me shkrimin për përdorim spitalor, por me pullën çmim në vlerë leku.

Ky ndryshim sipas KLSH rrit mundësinë për abuzime në strukturën spitalore duke i kaluar këto barna nga farmacia e spitalit në rrjetet e hapura të farmacive për tregtimin e tyre. Po ashtu adutiti ka konstatuar se Barnat që qarkullojnë në tregun vendas, në pjesën më të madhe të tyre nuk janë të pajisura me fletë-udhëzuesin në gjuhën shqipe, megjithëse ky është një detyrim i përcaktuar në rregulloren për dhënien e autorizimit për tregtim të barit, por që nuk është respektuar nga subjektet tregtare të sektorit farmaceutik.

Nisur nga këto shkelje KLSH ka arritur në përfundimin se buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 11.7 mln lekësh. Në  përfundim të auditimit, KLSH ka rekomanduar një sërë masash për përmirësimin e gjendjes midis të cilave Agjencia e Kontrollit të Barnave në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, të marrin masat e nevojshme që të fillojnë procesin e akreditimit të laboratorit, si dhe kalibrimin e pajisjeve laboratorike, me qëllim rritjen e saktësisë dhe besueshmërisë së rezultateve të analizave.

Po ashtu kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Agjencinë e Kontrollit të Barnave, të marrin masa për përgatitjen e fletë-udhëzuesit në gjuhën shqipe, dhe të kryejnë më shumë kontrolle mbi efikasitetin e barnave.

/Ora News.tv/