Kryebashkiaku i Shkodrës i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit Valdrin Pjetri iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike duke publikuar dokumentet e Ministrisë Italiane të Drejtësisë ku thuhet se i zgjedhuri vendor nuk është i dënuar.

Me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare, Valdrin Pjetri publikoi mbrëmjen e të shtunës dokumentin e Ministrisë Italiane të Drejtësisë të lëshuar në datën 19 korrik 2019 me pretendimin se shkresa në fjalë rrëzon akuzat e bëra ndaj tij nga opozita për ndalimin në itali dhe dëbimin nga ky vend në vitet 2001-2002.

Pjetri: Nuk dua të hyj në baltën e PD-së, e cila ka javë që kërkon të njollosë figurën time. Ja ku janë çertifikatat e pastërtisë së figurës time në shtetin Italian. Të tjerat i’a kam lënë atyre që duan të mbulojnë dështimet e tyre disa vjeçare duke njollosur emrin tim.

Partia Demokratike me anë të Gazmend Bardhit reagoi duke thënë se Edi Rama detyroi swrish Valdrin Pjetrin të mashtrojë për të mbuluar të kaluarën e tij si trafikant droge.

Bardhi: Pasi dështoi me TIMS-in, që fakton se Valdrin Pjetri nuk ka shkelur në Itali për 7 vjet, trafikanti i Ramës publikoi dokumente që mashtrojnë opinionin publik për të kaluarën e tij kriminale. Njëlloj siç bëri edhe Elvis Rroshi për të fshehur dënimin, edhe Valdrin Pjetri, sot publikoi dëshminë e penalitetit si çertifikatë virgjërie. 

Sipas tij dokumentet e publikuara nga Valdrin Pjetri nuk kanë asnjë vlerë pasi kushdo e di që pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, dënimi i marrë në të shkuarën nuk shkruhet më në dëshminë e penalitetit.

Bardhi: Për t’i rifreskuar kujtesën drejtuesit politik të Edi Ramës në Qarkun Shkodër, po bëjmë vetëm 1 pyetje: Çfarë të kujton data 27 Janar 2003?- shkruan Gazmend Bardhi në reagimin e tij. prokuroria e përgjithshme ka nisur hetimet javën e kaluar në lidhje me kallëzimin e bërë nga PD ndaj valdrin pjetrit për akuzën e fshehjes së ndalimit dhe dëbimit nga italia në vitet 2001-2002 duke shkelur kështu detyrimet e ligjit për dekriminalizimin.

/Ora News.tv/