Philippe Coutinho është tashmë zyrtarisht  një lojtar i Barcelonës.

Braziliani ka nënshkruar kontratë me katalanasit në ambjentet e stadiumit "Camp Nou".

Një marrëveshje që do ta mbaj të lidhur me blaugranat deri në qershor të vitit 2022.

25 vjeçari e konsideroi një ëndërr të realizuar transferimin e tij tek Barça.

"Jam shumë i lumtur. Siç kam thënë se është një ëndërr. Falë shumë njerëzve, në radhë të parë Zotit, prindërit e mi dhe familja që më ka qëndruar pranë në çdo moment”- u shpreh Coutinho.

Futbollisti i kombëtares braziliane u prezantua më pas në Camp Nou në praninë e qindra tifozëve. Ish lojtari i Espanyol-it dhe Inter-it kaloi nga Liverpool-i tek Barcelona për shifrën stratosferike prej 160 milionë eurove.

Mesfushori me tipare sulmuese ka një klauzolë largimi prej 400 milionë euro teksa do të mbaj mbi shpatulla numrin 7-të. Një fakt që konfirmon dhe largimin e Arda Turan.

Coutinho nuk do të jetë menjëherë i gatshëm për trajnerin Valverde. Pas kryerjes së vizitave mjekësore , mjekët e Barcelonës evidentuan një dëmtim muskolar që pritet ta mbaj për 20 ditë larg fushave të lojës.



/Ora News.tv/