Banorët e zonës së Astirit protestuan sërish të dielën kundër shembjes së shtëpive nga projekti i Unazës së Madhe.

Qytetarët bllokuan rrugën pranë shkollës teknologjike ndërsa hodhën tymuese e thirrje të vazhdueshme për zmbrapsjen e projektit të “Unazës së Madhe”.

Banorët, të cilëve do tu shemben shtëpitë si pasojë e projektit, kanë ndalur qarkullimin e automjeteve në dy anët e Unazës së Re.

Vetë banorët thonë se nuk kanë rrugë tjetër përveç vazhdimit të protestës për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre.

"Do vazhdojmë deri në fund. Kerkojmë të na dëmshpërblejë"

Qytetarët bëjnë me dije se sipas njoftimit verbal nga ARRSH, ditën e hënë do të nisë puna për Unazën e Madhe, çka do të thotë se do të fillojë edhe shembja e godinave.

"Sot është afati i fundit. Duhet të na bashkohen të gjithë. Qeveria dhe bashkia duhet të reagonin"

Protesta e banorëve të dielën zgjati nga ora 11 e paradites deri në 13.40 dhe veç Unazës së Re, qytetarët bllokuan trafikun edhe tek rrethrrotullimi i doganës. Pjesëmarrësit bënë të ditu se protesta do të vijojë sërish të hënën.

/Ora News.tv/