Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me përplasjen e protestuesve të opozitës me policinë.

PD akuzon se "banditët me uniformë dhe skafandra të Edi Ramës, sulmojnë me gaz ambulancën më të lënduar nga gazi".

Selia blu thotë se pamjet e paprecedenta, kur policia sillet si bandë dhe nuk i hap rrugë ambulancës në urgjencë mjekësore, përkundrazi, sulmon me gaz qytetarët rreth saj, janë të denja për regjime diktatoriale.

"Edi Rama ka hyrë sot në Shkodër si pushtues, jo si kryeministër, as si përfaqësues i alternativës demokratike!"

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe sjelljen kriminale të banditëve të veshur me uniformën e shtetit.

"Ata janë sot në anën e kundërt të ligjit. Bashkë me Bablokun e tyre të krimit, që synon të nxisë vëllavrasje dhe konflikt mes shqiptarëve, do të mbajnë shumë shpejt përgjegjësi para ligjit!"

/Ora News.tv/