Muzika tradicionale e vendeve që lagen nga Adriatiku përbën repertorin e një grupi artistësh italiane të njohur si banda e Adriatikut. Të njohur si banda e detit që bashkon popujt, ata sjellin një art muzikor ndryshe bazuar mbi tradicionalen e vendeve të rajonit.

Një prej spektakleve live më emocionues të momentit mbërriti nga Italia në qytetin e Shkodrës.

“Banda Adriatika”, të quajtur ndryshe “Banda e detit që bashkon popujt”, me orkestrimet plot finese përformuan në një prej oborreve karakteristike shkodrane.

Pas dhjetë vitesh kërkime mbi matricat e përbashkëta muzikore të brigjeve të detit Adriatik, duke u përballur me muzikën e Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, me fanfaren serbe dhe Afrikën e Veriut dhe duke shkuar deri në Mesdheun Lindor, ata arrijnë të krijojnë një art muzikor ndryshe.

Claudio Prima: Në fillim kemi punuar me muzikën e Shqipërisë, jemi përpjekur për ti lidhur muzikët e dy vendeve dhe rezultati i kësaj martese ka qenë shumë i bukur. Natyrisht një muzikë që sjell kërcim. Muzikë tradicionale që përpiqemi ta bëjmë moderne, ta ndjejnë të gjithë. Sonte ishte shumë bukur, të gjithë morën pjesë.

Mirëpriten kudo ku përformojnë, edhe pse sot kjo lloj muzike tradicionale sfidohet jo pak nga rrymat e reja.

Por kjo nuk i shqetëson artistët e “Banda Adriatica”.

Claudio Prima: Normalisht kjo muzikë mirëpritet kudo. Një muzikë e re por në të njëjtën kohë edhe antike. Bën pjesë në memorien tonë. Natyrisht nuk është muzika që njerëzit dëgjojnë çdo ditë në TV, apo radio. Por në festivale ku marrin pjesë, njerëzit e duan dhe ka një pjesmarrje të mirë. Në këtë periudhë muzika tradiconale është e sulmuar nga ritmet e reja, por e luajtur kështu, arrin tek të gjithë.

Pas Shkodrës, janë Gjirokastra dhe Tirana dy stacionet e radhës të kësaj bande muzikore, që më pas vijon udhëtimin në shtete të tjera.

/Ora News.tv/