Për herë të parë pas shumë vitesh, Shqipëria ka dalë duarbosh nga Samiti i Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Poznan të Polonisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtuar nga Belinda Balluku ka dështuar me sukses të plotë në hartimin e projekteve dhe paraqitjen e tyre për financim nga Bashkimi Evropian.

I vënë në vështirësi nga mungesa e performancës së Ministres kryesore të qeverisë së tij, kryeministri Edi Rama është dashur të marketojë Samitin duke e përqëndruar vetëm tek lajmet mbi batutat e shkëmbyera me kancelaren Angela Merkel apo britaniken Theresa May.

Dështimet e ministres Balluku tashmë nuk kanë të bëjnë vetëm me klimën aspak të favorshme të krijuar në Shqipëri ndaj biznesit, por kanë tejkaluar dhe kufijtë.

Alarmi i parë u lëshua javë më parë nga drejtuesi i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë që konstatoi se Balluku kishte frenuar reformat në sektorin energjetik.

Fatura vjen tashmë duke u rritur, pasi Shqipëria nuk përfitoi asnjë cent në takimin e Polonisë, ku 180 milion euro u shpërndanë në projekte të ndërlidhjes së Ballkanit Perëndimor.

Krejt ndryshe ka ndodhur për shtetet e tjera. Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut përfituan nga 3 projekte të zgjedhura në fushën e transportit dhe gazit natyror.

Kosova ndërkaq ka përfituar 27 milion euro për linjën hekurudhore dhe Serbia do ndërtojë një linjë të re interkonjeksioni.

Në 4 vitet e fundit, Shqipëria pati arritur të thithte në kuadër të nismës së Procesit të Berlinit një shumë prej 214 milion eurosh investime në fushën e transportit dhe energjisë.

Falë projekteve të paraqitura u mundësua mbështetja me financim për realizimin e projektit të interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Gjithashtu, u sigurua mbështetja e Bashkimit Evropian për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit të saj deri në aeroportin e Rinasit.

Një tjetër projekt i garantuar ishte ai për investimet në Portin e Durrësit.

Kalatat 1 dhe 2 në portin e Durrësit do t’i nënshtrohen zbatimit të një projekti, që parashikon rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar në menyrë që të mund të ankorohen në këto kalata anije me të mëdha, si dhe rritjen e aftësisë mbajtëse të kalatave.

Këto kalata i përkasin Terminalit të Mallrave Gjenerale, i njohur edhe si Terminali Perëndimor.

Po me mbështetjen e Bashkimit Evropian u miratua financimi i Studimit të fizibilitetit të autostradës Adriatiko-Joniane, studimi i fizibilitetit për lidhjen me rrjet gazi të Shqipërisë dhe Kosovës, studimi i fizibilitetit për rehabilitimin e lidhjes hekurudhore mes Vorës dhe Hanit të Hotit, projekti i detajuar për bypass-in e Tiranës, Kashar-Vaqarr-Mullet.

Projektet e tjera të përfituara në vitet e fundit ishin studimi i fizibilitetit për HEC Skavicën, studimi për Bypass-in e Lezhës ashtu sikurse projekti për Planin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve për zonën e Bunës në Shkodër.

Nuk dihet se cili do të jetë tanimë qëndrimi i kryeministrit Rama ndaj ministres Balluku, por ajo çka duket e qartë është se Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë mbështetjen e Bashkimit Evropian me financime për shkak të mungesës së projekteve dhe paaftësisë së institucioneve e drejtuesve të tyre.


/Ora News.tv/