Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është tërhequr nga ideja e bashkimit të dy kompanive shtetërore KESH dhe OSHEE. Ky vendim duket se ka ardhur pas presionit të ndërkombëtarëve ndërsa njoftimi është bërë në faqen zyrtare të Komunitetit të Energjisë. Bashkimi i kompanive sipas Ministrisë synonte uljen e burokracive dhe të kostove financiare në ekonomi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka pranuar edhe njëherë se vendimet e marra në sektorin e energjisë nga dikasteri që ajo drejton nuk janë të duhurat.

Kjo ka ndodhur edhe me planin bashkimit të kompanisë së prodhimit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes.

Shqetësimi  i ndërkombëtarëve në lidhje me këtë vendim ka detyruar Ministren që të tërhiqet nga ideja e bashkimit të OSHEE dhe KESH.

Sipas njoftimit të  Komunitetit të Energjisë, Sekretariati mori konfirmimin e Ministrisë qe koncepti i riintegrimit te dy kompanive shtetërore KESH dhe OSHEE, për te cilat jane ngritur shqetësime nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, nuk po ndiqet më.

Ky është një nga vendimet që kanë rezultuar jo-efikase në sektorin e energjisë elektrike.

Vetëm pak kohë më parë, Ministrja anuloi në bllok të gjitha projektet për ndërtimin e Hidrocentraleve me justifikimin e analizimit të efekteve në mjedis.

Por tashmë që kanë kaluar disa muaj edhe kjo nismë pothuajse është lënë në harresë, duke dëmtuar vetëm bizneset të cilat kanë marrë leje në bazë të ligjeve në fuqi.

Ndërkohë që një sërë ankesash janë drejtuar për ministren Balluku edhe nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme.

Ata kanë kërkuar që të ndryshohet sa më parë ligji i cili po i penalizon ata.

Aktualisht Shqipëria ndodhet në krizë energjetike për shkak se në muajt e parë të vitit janë importuar mbi 110 mln euro energji elektrike, duke u kthyer në një barrrë për buxhetin e shtetit.


/Ora News.tv/