Pavarësisht rekomandimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku do të japë me konçesion dy akse rrugore. Brenda datës 15 maj kontratat e partneritetit publik-privat për akset Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat do të shkojnë në parlament për miratim.  me këto vendime shqiptarëve u shtohen dhe 1.5 miliardë euro për të shlyer

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku do të dorëzojë brenda 15 majit kontratat e partneritetit publik-privat për akset Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Ky vendim vjen pavarësisht alarmit dhe rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat i kanë cilësuar këto forma të rrezikshme për buxhetin dhe me ndikim në borxhin publik.

Madje vendimi vjen në një kohë që ligji i PPP i cili parashikon që të mos pranohen oferta të pakërkuara ka mbetur pezull në parlament dhe ende nuk dihet pse nuk ka hyrë në axhendë.

Segmenti Orikum Dukat  kushton 50.5 mln euro por përtej kësaj  qeveria do t’i paguajë koncesionarit privat edhe interesat për 13 vite, që në total sipas listës së paraqitur në projektbuxhetin e vitit 2019, e çojnë faturën e Orikum-Dukat në rreth 70 milionë euro. Segmenti  rrugor Milot-Balldre është  parashikuar që të kapë vlerën e  161.5 milionë eurove.

Edhe pse zyrtarisht këto kontrata nuk konsiderohen si borxh publik, ato janë detyrime për të cilat Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera kanë kërkuar me këmbëngulje gjatë viteve të fundit që të llogariten në të. Me këto projekte shqiptarët do të kenë edhe së paku 1.5 miliard euro shtesë për të shlyer, por nëse kërkesa e FMN dhe BB do të zbatohet borxhi publik do të shkojë zyrtarisht mbi 70% e PBB-së.

Ndërkohë ende nuk dihet  se çfarë do të ndodhë me partneritetit publik privat për Thumanë-Kashar.

/Ora News.tv/