Komiteti Europian i Energjisë ka ngritur shqetësim për frenimin e reformave në sektorin e energjisë pas emërimit të Ministres Belinda Balluku. Janes Kopac gjatë prezantimit të raportit për Shqipërinë u shpreh se është shënuar një zbehje e nismave, ndërsa thekson se ndryshimi i politikave për energjinë e rinovueshme tremb investitorët.

Pavarësisht se kryeministri Edi Rama deklaroi se ndryshimet në qeveri u bënë për ti dhënë një tjetër impuls zhvillimit të ekonomisë së vendit, duket se kjo nuk ka ndodhur në rastin e Ministres së Energjisë dhe të infrastrukturës Belinda Balluku. 

Janes Kopac, Sekretari i Komitetit Evropian të Energjisë, në prezantimin e raportit vjetor në Komisionin parlamentar, u shpreh se reformat e nisura në sektorin e energjisë kanë ngecur në vend pas largimit të Gjiknurit.

Kopac: Gjiknuri u zëvendësua dhe entuziazmi për zbatimin e reformave në energji  ra. Dihet se Ministrja e re nuk e njeh sektorin dhe do pak kohë të njihet dhe të mësohet me çështjet, uroj ta arrijë. Ne kemi konstatuar ngadalësim të reformave të tregut.

Ndryshimi i rregullave të shpeshta në sektorin e energjisë së rinovueshme, sipas Kopac, sjell humbjen e besimit te investitorët e huaj.

Kopac: Energjia e rinovueshme është shumë pozitive pasi janë bërë ankande në këtë sektor, por nga ana tjetër besimi i investitorëve lidhet me paparashikueshmërinë e aspektit ligjor.Përsa i përket HEC-eve të vogla, çdo projekt duhet të kalojë fazën e ndikimit në mjedis dhe më pas edhe të publikut. Pra duhet bërë kujdes jo të mos investohet.

Vonesa në miratimin për rezervat e karburantit janë një tjetër problem sipas Sekretarit të Komunitetit të Energjisë.

Kopac: Sistemi aktual i mbajtjes së rezervave emergjente të naftës i është caktuar industrisë së naftës dhe është i barabartë me 90 ditë të shitjeve mesatare. Por kjo ka pasur përkeqësim dhe presim  që projektligj i ri për mbajtjen e rezervave emergjente të naftës, hartuar në vitin 2016 me ndihmën e Sekretariatit, të miratohet sa më parë.

Ndër të tjera në raport u kërkua që të përfundohet sa më parë ndarja e OSHEE-së, ndërsa u kundërshtua zgjatja e afatit për pagesat prej 180 ditësh.

/Ora News.tv/