Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka shkelur procedurat e prokurimeve gjatë kohës që ka qenë drejtuesja e Albcontrol. Nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit  ka rezultuar se në të 22 tenderat ku u ushtrua kontroll është shkelur barazia, duke i ndryshuar termat e referencës gjatë nënshkrimit të kontratës.

Procedurat e tenderave në Albcontrol gjatë kohës kur institucioni drejtohej prej ministres Belinda Balluku janë zhvilluar në mungesë të konkurrencës, madje dhe janë konstatuar mungesë të specifikimeve teknike.

Ky konkluzion ka dalë në auditimin e bërë prej Kontrollit të Lartë të Shtetit, të realizuar në vitet 2016 -2018 dhe të publikuar në fillim të këtij viti.

Shkeljet janë vërejtur në të 22 rastet e zgjedhura për hetim.

Në raport thuhet se 11 proçedura prokurimesh janë zhvilluar në mungesë të plotë të konkurrencës dhe kontratat e nënshkruara nuk kanë respektuar barazinë mes operatorëve ekonomikë. në 5 procedura prokurimi, në hartimin e dokumenteve të tenderit, nuk janë dhënë argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri të veçantë për kualifikim,veprim ky që  bie në kundërshtim me “Rregullat e Prokurimit Publik".

Ndërkohë në 5 tendera të tjerë janë konstatuar se kanë munguar plotësisht specifikimet teknike.

Pas  këtyre Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar që në këtë institucion, i cili drejtohej nga ministrja Balluku, të rritet eficensa në shpenzimet publike, duke zhvilluar procedura prokurimi në përmbushje të kritereve ligjore, kapaciteteve ekonomike, financiare dhe profesionale, në përzgjedhjen e ofertës më të mirë ekonomike, duke siguruar që Autoriteti Kontraktor të pranojë oferta të cilat janë të pakushtëzuara.

Autoriteti Kontraktor, thuhet në raport, duhet të hartojë kërkesa të veçanta për kualifikim, që të sigurojë konkurrencën e nevojshme si një nga parimet bazë të prokurimit në blerjen e mallrave, shërbimeve dhe punëve civile, për të arritur rezultate të dëshirueshme në efektivitetin e përdorimit të fondeve, sigurimin e integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e prokurimit publik.

/Ora News.tv/