Balla nga Elbasani: Burg për ata që pengojnë zgjedhjet

Balla nga Elbasani: Burg për ata që pengojnë zgjedhjet

PS paralajmëron opozitën me burg nëse do të tentojnë të pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve në 30 Qershor. Nga Elbasani Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë u shpreh se PS do të çlirojë bashkitë që deri më sot janë qeverisur nga PD dhe LSI.

Partia Socialiste është e vendosur për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit edhe nëse PD dhe LSI vendosin përfundimisht të bojkotojnë procesin.

Nga Elbasani, sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla paralajmëroi opozitën dhe mbështetësit e saj me burg nëse do të tentojnë të pengojnë zgjedhësit të shkojnë në votim apo të dëmtojnë qendrat e votimit.

Taulant Balla: "Ta harrojë Monika, Luli e Saliu që të mund ta pengojnë popullin. Nuk e bëjnë dot, është vepër penale. Dënohet me deri në 7 vite burg kushdo që pengon zgjedhësit të shkojnë në votim, kushdo që tenton të dhunojnë qoftë derën e qendrës së votimit."

Balla u shpreh se PS në zgjedhjet vendore do të fitojë edhe ato bashki, të cilat deri me sot janë qeverisur nga PD dhe LSI, duke e cilësuar si opozitë pa alternativë.

Taulant Balla: "Shqiptarët dinë ta bëjnë fare mirë dallimin mes bashkive ku qeverisin socialistët dhe qeverive ku deri më 30 qershor qeverisin përfaqësuesit e Lulit dhe Monikës."

Edhe për mungesën e votës së emigrantëve PS ka bërë fajtore PD.

Taulant Balla: "Ne nuk kemi arritur ende tu garantojmë votën aty ku jetojnë emigrantët për shkak refuzimit të Partisë Demokratike Rrugore, siç quhet tashmë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor."

Gjithashtu drejtuesit e PS ju kanë dhënë porosi strukturave që të ketë një komunikim korrekt dhe të vazhdueshëm me mediat si dhe  në Portalin “Bashkitë që Duam”.

EMISIONET