Partia Socialiste i rikthehet akuzave ndaj Partisë Demokratike për lobingjet në Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve të vitit të shkuar. Vetë Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla, thotë se fotoja me Presidentin Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh, në prag të zgjedhjeve, i ka kushtuar PD-së me qindra mijëra dollarë, prejardhja e të cilave sipastij, nuk është bërë asnjëherë e ditur nga Lulzim Basha.

Balla citon një portal amerikan, që sipas tij, nxjerr të dhëna të reja skandaloze që e lidhin Partinë Demokratike me Kremlinin.

Balla: Sipas këtij investigimi të bazuar mbi dokumentet zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Nick Muzin, lobuesi kryesor i demokratëve në SHBA, është paguar jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga një kompani fantazmë e regjistruar në Skoci, e quajtur “Biniatta Trade”. Kontrata e depozituar në Departamentin e Drejtësisë nuk lë vend për dyshime.

“Biniatta” ka paguar 150 mijë dollarë direkt për llogari të Partisë Demokratike si “kompensim shpenzimesh për Muzin”.

Në vijim janë paguar edhe tre këste të tjera me nga 150 mijë dollarë secila, si dhe një pagesë fillestare prej 500 mijë dollarësh, në total 1 milion dollarë.

Por, kush është ky “bamirës” i fshehur i Lulzim Bashës?

Investigimi i “Mother Jones” tregon se pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade” janë dy shtetas rusë. Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh.

Të dhënat tregojnë se ai, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin, ka fituar një numër tenderash të qeverisë ruse. Pra “shërbimet e tij ligjore” janë pajtuar nga vetë qeveria ruse, duke sjellë për Sheremetijevin përfitime të jashtëzakonshme.

 

Ortaku i dytë quhet Konstandin Ferulev, gjithashtu pronar i një numri kompanish në Rusi. Reporteri amerikan tentoi të shkonte në zyrën e tij të regjistruar në një qiellgërvishtës në Moskë, por zbuloi se ajo mund të aksesohej vetëm përmes një hyrje private.

Por, kjo nuk është e gjitha. Të dy këta biznesmenë të fuqishëm rusë, me kompani të regjistruara në parajsat fiskale, kanë ngritur partneritete të tjera edhe me personazhe të tjerë të lidhur drejtpërsëdrejti me Kremlinin.

Njëri prej ortakëve të tyre quhet Leriam Dvorkin, një shtetas rus me banim në San Françisko, por që në jetëshkrimin e tij të pasur përfshin edhe shumë vite punë në pozicione drejtuese të kompanisë së gazit dhe naftës “Gazprom”.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, “Gazprom” është një kompani e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga shteti rus.

Një tjetër partner është 35-vjeçari Juri Ivanov, me banim në Shën Petërburg, edhe ai një personazh i lidhur me politikën në Rusi.

Përballë këtyre fakteve tronditëse, ekzistojnë dy hipoteza për të cilat Partia Demokratike ka detyrën ligjore dhe morale që të përgjigjet përpara shqiptarëve.

Hipoteza e parë është që paratë për lobimin e PD në Uashington nuk janë paguar nga ajo vetë, por nga Moska. Nëse kjo është e vërtetë, kjo do të përbënte një precedent tmerrësisht të rrezikshëm të ndërhyrjes së Kremlinit në politikën shqiptare.

Hipoteza e dytë, njësoj skandaloze, është që paratë janë paguar nga Partia Demokratike, por janë përdorur biznesmenët rusë për të fshehur prejardhjen e tyre.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë PD përsëri duhet të japë shpjegime se si ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit e besuar të qeverisë ruse.

Por mbi të gjitha, PD duhet të përgjigjet:

Çfarë interesi kanë biznesmenët me lidhje që të çojnë në Rusi?

Që të përfshihen në betejat politike të një vendi të vogël, aq larg sferës interesit të Rusisë, siç është Shqipëria?

Çfarë u ka premtuar Lulzim Basha rusëve, për të fituar mbështetjen e tyre financiare dhe politike?

E nëse përgjigja e PD do të jetë heshtja apo, akoma më keq, përgënjeshtrimi i këtyre fakteve të pakundërshtueshme, dëshiroj të saktësoj edhe diçka thelbësore.

/Ora News.tv/