Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, është paraqitur në Gjykatën e Tiranës në procesin gjyqësor ndaj albert veliut dhe personave të tjerë të akuzuar në çështjen e njohur me emrin “Babale”.

Zyrtari demokrat është thirrur si dëshmitar për të dhënë sqarime në lidhje me denoncimet e PD ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Pas dy thirrjeve radhazi, gjykata kishte urdhëruar policinë të shoqëronte Gazment Bardhin, por ai është paraqitur me vullnetin e tij në seancën e të mërkurës.

Para gjykatës Bardhi tha se urdhri për ta shoqëruar me policë ka qenë i paligjshëm pasi ai nuk ka pasur thirrje zyrtare.

Gazmend Bardhi tregoi në gjykatë se PD vendosi ta publikojë përgjimin për Agron Xhafajn pasi vëllai i ministrit të Brendshëm kryente trafik droge me mbështetjen e politikës.

Bardhi theksoi se ishte nje investigim gazetaresk dhe autorit i rrezikohej jeta pasi i dyshuari ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm.

Bardhi: Vendimi për shoqërim është i paligjshëm, duke vlerësuar rëndësinë e procesit jam paraqitur i njoftuar nga media. Nuk është video-përgjim por është audio, ishte një investigim gazetaresk. Për shkak të rrezikshmërisë së Agron Xhafajt, audioja nuk ishte çuar deri në fund. Xhafaj ishte i dënuar në Itali dhe fatmirësisht në sajë të atij publikimi drejtësia u vu në vend.

Zyrtari demokrat u shpreh se kjo çështje nuk është hetuar si duhet nga prokuroria.




/Ora News.tv/