Azilantët në Shqipëri: Duam të largohemi drejt vendeve të BE-së

Azilantët në Shqipëri: Duam të largohemi drejt vendeve

Pavarësisht numrit të lartë të azilkërkuesve në vitin 2018, edhe këtë Shqipëria konsiderohet si portë hyrëse e emigrantëve të parregullt drejt vendeve të BE-së. Ata tentojnë të kalojnë nëpërmjet Shqipërisë, por shumica prej tyre janë kapur nga policia kufitare dhe më pas dërguar në qendrën e azilkërkuesve. Për RTV Ora ata rrëfejnë rrugën që kanë ndjekur dhe planet për tu larguar drejt vendeve të BE-së.

Mahmoud Amhad ka mbërritur në Tiranë të enjten. Ai është nisur nga Siria në kërkim të një jete më të mirë por në Tiranë po sorollatet sa në ambientet e policisë në qendrën e azil-kërkimit për të siguruar një strehë.

Ai thotë se ka ardhur në Shqipëri nga Greqia ndërsa ka në plan të largohet drejt vendeve të BE-së. 

Mahmoud Amhad: Unë kam ardhur dje në Shqipëri, familjen e kam në Greqi. Dua të iki në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër evropian. Ishin tek policia, por nuk na pranuan, prandaj erdhëm këtu tek kjo qendër për të gjetur një strehë për tu ushqyer.

Ahmed Herith është një tjetër shtetas sirianë që ka mbërritur në Shqipëri nëpërmjet Greqisë, i cili për RTV Ora rrëfen si u mashtrua nga trafikantët për ta dërguar në vendet e BE-së, por përfundoi në prangat e policisë kufitare.

Ahmed Herith: Unë humba 5 mijë dollarë amerikanë për të ardhur në Shqipëri. Kemi kaluar nga Turqia nëpërmjet detit dhe më pas në Greqi dhe pastaj përmes malit në Shqipëri. Unë dua të qëndroj në Shqipëri, por nuk kam pasaportën dhe nuk kam mundësi të punoj, prandaj kam dëshirë të largohem në një vend tjetër.

Përveç azilkërkuesve sirianëve që mbajnë peshën kryesore, në qëndron e pritjes në Babrru të kryeqytetit vijnë dhe shtetas të tjerë siç është rasti i 20-vjeçarit Ejub Moatosim. Ai qëndron para qendrës së azilkërkuesve, ndërsa shprehet se plani i tij është të largohet me kamion drejt Italisë.

Ejub Moatosim: Unë kam ardhur në Shqipëri nga Maroku dhe dua të iki në Itali. Do tentoj me kamion apo me ndonjë formë tjetër për të mbërritur në Xhenova.

Më shumë se 4 mijë azilkërkues u regjistruan në Shqipëri gjatë vitit 2018 por edhe në pjesën e parë të 2019 një numër i madh refugjatësh me origjinë nga vendet e lindjes vijojnë të mbërrijnë në Shqipëri nëpërmjet kufirit me Greqinë. Ky fluks i madh u bë shkak për vendosjen e FRONTEX në kufirin mes shqipërisë dhe greqisë ku vetëm gjatë muajit maj janë kapur mbi 1700 emigrantë të parregullt.

EMISIONET