Qeveria greke dhe kreditorët kanë finalizuar me marrëveshje negociatat e tyre të fundit për planin e ndihmës ndaj Greqisë. Marrëveshja është njoftuar nga Brukseli, të shtunën, në mbrëmje vonë.

“Organet institucionale europiane konkluduan në marrëveshje me autoritetet greke sa i përket paketës së masave në kuadër të programit të Mekanizmit Europian të Stabilitetit. Marrëveshje do t’i paraqitet Eurogrupit të hënën, më 4 dhjetor. Autoritetet greke planifikojnë zbatimin e aksioneve që janë të nevojshme për finalizimin e vlerësimit të tretë, sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin për shtyp të tre institucioneve komunitare: Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM).

Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos deklaroi në Athinë se “fituam mjaft gjëra dhe jemi të kënaqur”.

Marrëveshja është arritur në çështjet që lidhen me kompensimet sociale, tregun e energjisë dhe tregun bankar, si dhe marrëdhëniet në punë.

E vetmja temë ku nuk është arritur dakordësi, është ajo që lidhet me kërkesën e qeverisë greke për të ruajtur koeficentin e ulët të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar), në 32 prej ishujve të vendit. Por kjo është një çështje që nuk konsiderohet vendimtare për negociatat.

Ministri grek i financave tha se para festave të fundvitit do të paraqiten në parlament për votim, disa projektligje që lidhen me zbatimin e masave të reja.

Pas miratimit të marrëveshjes në nivel teknik, më 4 dhjetor, ministrat e financave të eurozonës pritet që ta miratojnë edhe formalisht marrëveshjen, në takimin e tyre të parë për vitin e ardhshëm, që do të mbahet më 22 janar. Pas kësaj fdate pritet të disbursohet kësti i kredisë dhe më e rëndësishmja: të nisin diskutimet për lehtësimin e borxhit grek dhe finalizimin e programit të shpëtimit brenda qershorit 2018.

 

/Ora News.tv/