Athina “blindohet” për vizitën e Erdogan, mobilizohen 4000 policë

Athina “blindohet” për vizitën e Erdogan, mobilizohen 4000

Në Athinë më shumë se 4.000 forca policie do të mobilizohen në operacionet e sigurisë për vizitën e presidentit turk Recep Tayipp Erdogan, që fillon të enjten.

Masat do të jenë të njëjta me ato që u zbatuan për vizitën e presidentit Barack Obama, në nëntor të vitit të kaluar.

Shqetësimet për sigurinë e mysafirit të lartë nga vendi fqinj, janë rritur edhe më shumë pas arrestimit në Athinë të nëntë shtetasve turq, javën e kaluar, që dyshohet se po përgatisnin atentate me rastin e kësaj vizite.

Në Athinë kanë mbërritur ndërkaq pjesëtarë të gardës personale të presidentit Erdogan që bashkë me kolegët grekë po planizojnë masat e sigurisë.

Sipas shtypit, rreth 300 oficerë sigurie dhe komandos turq do të shoqërojnë presidentin Erdogan gjatë vizitës së tij, ndërsa në eskortën e tij përfshihen edhe 10 makina të blinduara.

Siç bëhet e ditur, nga ana e autoriteteve greke do të mobilizohet edhe njësia e forcave speciale. Snaiperë do të qëndrojnë në tarracat e godinave përgjatë gjithë rrugëve nga do të kalojë Erdogan. Aparate të posaçëm do të çaktivizojnë funksionimin e telefonave celularë. Policia rrugore do t’i bllokojë këto rrugë ndërsa pritet të shpallet edhe ndalimi i tubimeve gjatë 24 orëve që presidenti turk do të qëndrojë në Athinë.

Recep Tayyip Erdogan do të mbërrijë paraditen e të enjtes në kryeqytetin grek, Athinë. Pas vendosjes së kurorës në memorialin e ushtarit të panjohur, para parlamentit, ai do të pritet nga presidenti grek Pavlopoulos.

Programi do të vijojë me takimin kokë më kokë me kryeministrin Tsipras, me të cilin do të kenë dhe deklarata të përbashkëta për shtyp.

Në ditën e dytë të vizitës, të premten, Erdogan do të shkojë në pjesën verilindore të vendit, ku jeton një komunitet i madh turqishtfolës, që Greqia e njeh vetëm si minoritet fetar.

Erdogan do të jetë pas 65 vjetësh, presidenti i parë turk që viziton Greqinë. Por ai ka bërë disa vizita më herët, si kryeministër i vendit.

Pavarësisht problemeve tepër të mprehta dypalëshe - shumica e të cilave historike-  Athina dhe Ankaraja kanë mundur të sigurojnë vazhdimësinë e kontakteve të nivelit të lartë, duke krijuar një normalitet të brishtë në marrëdhëniet e tyre.

EMISIONET