Dhjetë ditë nga grabitja e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, policia dhe prokuroria nuk kanë ende emra të autorëve që kanë marrë pjesë në të.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat "Policia e Shtetit thotë se së bashkue me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese mbeten  të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë".

Për këtë, policia kërkon ndihmën e qytetarëve, që "nëse kanë informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë në numrin 112, duke garantuar edhe anonimatin."

Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit hedhin poshtë disa lajme të publikuara në media për identifikimin e dy prej autorëve të grabitjes.

Si ndodhi grabitja

Grabitja në Rinas ndodhi pasditen e 9 prillit, kur persona të aramtosur hynë në pistën e aeroportit të Rinasit, duke grabitur thasët me para që do të transportoheshin me një avion jashtë Shqipërisë.

 Brenda pak minutash u realizua grabitja dhe autorët kanë dalë sërisht nga e njëjta derë ku dhe hynë. 

Autorët hynë me një furgon me mbishkrimin "Hetimi Tatimor". Në ndjekje të mjetit janë nisur forcat e rendit por dhe të ndërhyrjes së shpejtë. 

Grabitësit janë përgjigjur me armë duke tentuar të largohen, por në betejë ka mbetur i vrarë një prej tyre, Admir Murataj. Si pasojë e ndjekjes autorët kanë braktisur mjetin. Pesë prej tyre dyshohet se kanë mundur të largohen me këmbë, teksa ishin të armatosur me kallashnikov edhe granata. 

Reagim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit (19 prill 2019)

Lidhur me disa publikime në media ditën e sotme, për hetimet mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Rinas, grupi i posaçëm hetimor deklaron se këto lajme janë të pavërteta dhe të pasakta.

Duke përfituar nga ky komunikim me mediat dhe publikun, gatantojmë qytetarët se Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjenci të tjera ligj zbatuese mbeten shumë të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.

Çdo qytetar që ka informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë falas në numrin 112, duke ju garantuar anonimatin.

/Ora News.tv/