Artistët e skenës kërcënojnë: Dialog ose bojkot, aksion në mbrojtje të teatrit

Artistët e skenës kërcënojnë: Dialog ose bojkot, aksion

Pamjet që kanë qarkulluar ditët e fundit nga adresa në tëitter e kreut të qeverisë Edi Rama dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaro paraqesin një kantier vital pune të Turbinës: qendra multifunksionale e planifikuar për të qenë skena e re e përkohshme e Teatrit Kombëtar, ende larg afatit të parashikuar. Ditën pas këtij publikimi, artistët e teatrit, pedagogë e studentë të mbledhur në universitetin e arteve, si asnjëherë më parë, dalin kundër.

Arben Derhemi: Duhet të dalim në protestë të gjithë sepse në një moment të caktaur që një njeri merr përsipër të thotë që do të vij TOB në TK dhe TK do shkojë tek Turbina, tek një teatër që nuk është teatër.

Mehdi Malkaj: Ata na trajtojnë si skllever, nguleni mirë në kokë këtë. Nuk jemi skllever, ne jemi vlerë kombëtare.

Që Teatri Kombëtar do të zhvendosej këtu, nuk është lajm i ri, por me sa duket vetëm tani artistët po shohin që kjo skenë nuk është ajo që ata do donin. Arsye tjetër që provokon këtë reaksion janë dyshimet që ngrihen mbi fatin e godinës së Teatrit Kombëtar.

Robert Ndrenika: Dhe tani kërkohet që këta privatë të bëjnë një kullë dhe në këtë kullë ankes të jetë edhe teatri, pra vazhdon një vjedhje. 

Altin Basha: Pa dalë projekti i ri të mos bëhet spostimi i TK, të dimë çfarë do të bëhet aty, është absurde të hyjë Opera sepse do të thotë që ajo ndërtesë qenka funksionale.

Artistët kërkojnë që ministrja e Kulturës t'i dëgjojë se ç'rezerva kanë për projektligjin e ri për artin dhe kulturën që prej një muaji ka marrë formë përfundimtare.

Kërcënimet janë të forta, shantazh për bojkot të skenës së teatrit.

Laert Vasili: Nga një datë që ne do ta vendosim nuk do të marrim pjesë në aktivitete dhe le të rrezikojmë të na hiqet vendi i punës dhe buka e gojës. Po nuk rrezikuam, po nuk u vumë ne në krye të asaj barrikade që na është ngritur, muri do të ngrihet dhe përballë nesh do të shohim gradaçelë që nuk do ta shembim dot.

Nga Korça Mirela Kumbaro është përgjigjur se do të takohet shumë shpejtë me protestuesit.

Mirela Kumbaro: Unë duhet ti takoj artisët dhe përpara sesa të kuptojmë se çfarë kërkojmë duhet të kuptojmë se çfarë propozojmë. Unë kam përshtypjen që nuk është kuptuar mirë ajo që është propozuar aty.

Me gjithë tensionin e këtyre zhvillimeve ka ndër rreshta dhe një lajm të mirë: Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Sindikata e Pavarur e teatrit kombëtare ekzistojnë dhe po u përcjellin studentëve një ide për të protestuar kundër politikave kulturore.

EMISIONET