Në Kuvend kryeprokurorja Arta Marku po prezanton Raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2017.

Ndërkohë nga Vlora kryetari i PD-së, Lulzim Basha e quajti "prokurore kukull".

Basha: Arta Marku po të ishte prokurore sot duhet të arrestonte të paktën një duzine prej atyre prej të cilëve po u flet. Arta Marku është shërbëtore e Edi Ramës dhe jo Prokurore e Republikës. 

Prania e Kryeprokurores kukull të Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë është certifikata e vjedhjes, i vetmi rol dhe i vetmi justifikim për praninë e prokurorit të përgjithshëm të republikës në Kuvendin e Shqipërisë sot do të ishte po të kishte shkuar me pranga dhe të tërhiqte zvarrë një duzinë hajdutësh dhe politikanësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin në atë sallë, të cilët bashkë me pjesën tjetër të rilindasve dele po përgatiten të konsumojnë edhe njëherë aktin e vjedhjes me ligj.

Ç'kuptim ka të raportojmë statistika sesa vjedhës qepësh e preshësh paska kapur policia dhe paska ndjekur prokuroria kur mazhoranca po vjedh dhe është kapur me presh në duar, madje edhe në prani të kamikazes së tyre në krye të prokurorisë së përgjithshme dhe asgjë nuk i hyn në këmbë. Ky është një teatër i shëmtuar që duhet të marrë fund një orë e më parë.

Kryeprokurorja Arta Marku prezantoi raportin vjetor të Prokurorisë së përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit

"Numri më i lartë i procedimeve penale në është në Tiranë, Vlorë. Numri më i ulët i procedimeve penale është në Përmet, Pukë dhe Mat. Përqindjen më të ulët të kriminalitetit e ka qarku Dibër dhe më të lartë qarku i Vlorës. Ka një rritje me 10% të kallëzimeve penale. Lufta kundër korrupsionit ka qenë prioritet edhe për këtë vit. Konstatojmë ulje të procedimeve për korrupsionin në sistemin e drejtësisë" u shpreh Arta Marku.

 

/Ora News.tv/