Policia ka arrestuar pronarin e një pike llotoje për "Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike" dhe "Organizim të lotarive të palejuara".

Gjatë operacionit "Basti i Fundit", uniformat blu kanë vënë në pranga Erti Kadiun, 31 vjeç, banues në Kavajë.

"Shërbimet e Policisë Kavajë, ishin në ndjekje të Erti Kadiut, pasi dispononin informacion se ky shtetas në pikën e tij të llotos ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e llotos së këtij shtetasi u gjetën doza lënde narkotike të dyshuar e llojit Kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje,"-raporton policia.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe disa dokumente shtetërore të dyshuara të falsifikuara.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale :

- 4 kompjuterë lojërash fati

- 21 doza lënde narkotike e dyshuar Kokainë

- 45 fishekë model 56

- 15 fishekë model “Parabelium”

- 9 fishekë model 54

- një sasi në lekë dhe dollarë

- peshore elektronike

- 6 aparate celularë

- mjeti tip “Ford”

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga nenet 197, 283 dhe 278 të Kodit Penal.

/Ora News.tv/