Policia e Greqisë ka arrestuar një tjetër bashkëpunëtor në vrasjen e komisarit Artan Cukut.

Lajmi është bërë publik prej policisë së Athinës ku thuhet se 30-vjeçari Kristaq Leci është ndaluar pasditën e së hënës (12 gusht) nga oficerët e divizionit të  drejtorisë së sigurisë dhe të verifikimit të dosjeve.

Forcat e rendit kanë konstatuar se ai ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Në sqarim thuhet ndër të tjera se ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e një ish-oficeri të policisë të kryer në datën 8 prill 2017 në Shqipëri.

Menjëherë pas ndalimit dosja i është referuar prokurorisë për të vendosur më pas procedurat e ekstradimit.

Leci akuzohet si bashkëpunëtor i Mikel Shallarit që vrau komisar Cukun në hyrje të pallatit ku ai jetonte në "Rrugën e kosovarëve", pranë liqenit në Tiranë.

Ka qenë pikërisht Shallari, i cili ka rrëfyer të gjithë ngjarjen dhe porositësit e ekzekutimit.

Sipas të dhënave, ishte Blendar Jambelli që ka kontaktuar fillimisht me Lecin për të kryer ekzekutimin kundrejt një pagesë prej 20 mijë eurosh dhe më pas ky i fundit është lidhur me Mikel Shallarin.

Ditën e vrasjes Jambelli ka organizuar vrasjen, duke u treguar lëvizjet e Cukut.

Shkak për këtë është bërë arrestimi i Jambellit në Vlorë në kohën kur Cuku ishte komisar si i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Amarildo Dedaj.

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 10 vite burg ekzekutorin Mikel Shallari pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke ndihmuar në zbardhjen e motivit të krimit, kush ishin porositësit, ndërmjetësit.

Nga rrëfimi i Shallarit u mësua se Kristaq Leci kishte luajtur rolin e ndërmjetësit ndërsa porositësi i krimit ishte Bledar Jambelli. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim.  



Pendimi i Mikel Shallarit 

Sipas Shallarit për këtë vrasje atij i ishin premtuar 20 mijë euro dhe shkak mendohet se është hakmarrja e Jambellit pasi Artan Cuku kur drejtonte policinë e Vlorës, e kishte arresuar si të dyshuar për vrasjen e shtetasit Amarildo Delaj.

Jambelli, arrestimin e tij e quante të padrejtë të nxitur nga persona të tjerë. Ky ishte motivi për të cilin ai kishte vendosur ta vriste viktimën Artan Cuku. Fillimisht Shallari mohoi përfshirjen e tij në krim por më pas më 12 qershor 2017 ai shprehu vullnetin të bashkëpunojë me drejtësinë dhe firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorin.

Sipas dëshmisë Shallarit, plani i vrasjes u thur për 10 ditë me porosi të organizatorit Bledar Jambelli, dhe më pas i pandehuri, me ndihmën e Kristaq Lecit, vëzhguan territorin rreth banesës së komisarit dhe e ruajtën për të gjetur rastin e volitshëm për ta vrarë. 

Ditën e atentatit më 8 prill 2017 ndërsa viktima po kthehej në banesë, Shallari po e priste para pallatit. Në vendngjarje ai shoqërohej nga Kristaq Leci, i cili e priste tek fusha pranë pallatit dhe e orientonte në distancë me anë të sms-ve.

Pasi Artan Cuku u shfaq dhe u fut në një minimarket, në katin e parë të pallatit, Mikel Shallari u pozicionua tek shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes. Me tu shfaqur komisari ai e qëlloi me të dyja armët njëherësh. Artan Cuku mbijetoi dhe tentoi të hynte në ashensor ndërsa i pandehuri iu vu pas dhe e qëlloi edhe aty. 

Më pas provohet se viktima doli nga ashensori duke tentuar të përleshej fizikisht me autorin, por i pandehuri e qëlloi përsëri duke i dhënë goditjen fatale në pjesën e kokës. Pas krimit Mikel Shallari u largua sipas intinerarit të paramenduar. Tek sheshi Wilson prenotoi një taksi e cila e çoi pranë Astirit në Unazën e Re" ku e kishin lënë të takoheshin me bashkëautorët Jambelli dhe Leci.

Pas krimit mendohet se Bledar Jambelli dhe Leci janë larguar nga Shqipëria, ndërsa arrestimi i Mikel Shallarit u bë pas ekspertizes se ADN-se dhe kamerave të sigurisë.




/Ora News.tv/