Masakroi dhe vrau kunatën, autori arrestohet në Peshkopi

Masakroi dhe vrau kunatën, autori arrestohet në Peshkopi

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Dashamir Xhepen, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e kunatës së tij, Lirie Xhepa, në 13 shkurt, pranë kodrave të liqenit të Sharrës.

Për ngjarjen është arrestuar edhe një person tjetër, me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.

"Shërbimet e Policisë Tiranë, pas identifikimit të autorit të dyshuar të vrasjes së shtetases L. Xh., janë vënë në ndjekje intensive të tij. Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative shërbimet e Policisë lokalizuan vendodhjen e autorit të dyshuar, shtetasit D. Xh., dhe bënë kapjen dhe arrestimin e tij në qytetin e Peshkopisë ku dhe strehoej", sqaron policia.

Sipas burimeve të policisë mësohet se Xhepa, strehoej në Peshkopi nga Mesut Sula dhe arrestimi i tyre është kryer gjatë natës.

I arrestuari është sjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa pritet të merret në vazhdim në pyetje për rrethanat e vrasjes së kunatës 49-vjeçare.

Dashamir Xhepa akuzohet për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare  dhe armëmbajtje pa leje.

49-vjeçarja u gjet e vrarë nga banorë të zonës pranë kodrave të liqenit të Sharrës me tre plumba pistolete në 14 shkurt.

Ajo ishte nënë e 4 fëmijëve dhe banonte pranë zonës ku u gjet  e pajetë.

Bashkëshorti i të ndjerës ishte ndarë nga jeta 10 vite më parë dhe ajo jetonte me dy prej fëmijëve.

Ndërkohë, po të martën është vetë dorëzuar në policinë e Shkodrës, Ndue Zefi, 37-vjeçari i cili vrau me armë Martin Ndrecën në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Viktima dhe autori i ngjarjes kanë qenë duke pirë alkool në një nga lokalet e zonës, ku edhe ka nisur sherri mes tyre për arsye banale duke përfunduar në vrasje.

Pas sherrit, 37-vjeçari ka shkuar në shtëpi duke marrë një armë kallashnikov dhe duke pritur viktimën pranë shtëpisë së tij.  Aty e ka qëlluar me 5 plumba, nga të cilët vetëm njëri prej tyre ka kapur 45-vjecarin në pjesën e shpatullës, por kjo ka rezultuar fatale për të.


EMISIONET