Përfundoi pas 12 orëve arratia e autorit të masakrës në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë pasditen e së premtes (10 gusht). 

  Ridvan Zykaj, autori i vrasjes së 8 pjesëtarëve të fisit të tij, mes tyre tre gra dhe 2 fëmijë, u arrestua mëngjesin e sotëm (11 gusht) në një zonë periferike në dalje të Selenicës.

Policia informoi se autori nuk kishte bërë rezistencë gjatë momentin të arrestimit dhe se ishte sekuestruar arma e krimit të rëndë, një kallashnikov si dhe telefoni me të cilin komunikonte edhe gjatë kohës që ishte në arrati.

Njoftimi i policise: Si rezultat i punës së mirëorganizuar, krehjes së territorit, kontrolleve të shumta dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës edhe me anë të qenit gjurmes, të përdorur nga ana e strukturave Policore të DVP Vlorë, RENEA, FNSH dhe Delta Forcë, u bë e mundur kapja e autorit të krimit  Ridvan Zykaj në një zonë periferike në dalje të Selenicës.  Gjithashtu u sekuestrua edhe arma e krimit, një kallashnikov. Autori është shoqëruar në DVP Vlorë, për veprimet e mëtejshme.

Mbi 24 vjeçarin rëndon akuza ''Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave'', parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal. Materialet hetimore i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Dinamika e krimit

Pasditen e 10 gushtit 2018 Ridvan Zykaj ka shkuar me automatik fillimisht në banesën e Demir Zykës, vëllait të gjyshit të tij. 

Aty ka vrarë Demir Zykaj 75 vjeç dhe gruan e tij, Perie Zykaj 72 vjeç. Më pas ka shkuar në banesën e Besimit (djali i Demirit) . Aty ka vrarë Besimin dhe bashkëshorten e tij, Vasilika dhe dy fëmijët, Sarën, 16 vjeçe dhe Ledionin 8 vjeç.

Kur kanë dëgjuar britma e të shtëna Azemi (vëllai tjetër i Besimit dhe djali i Demirit)  dhe Afërdita, (e shoqja e Azemit) kanë shkuar në banesën e Besimit për të parë se çfarë kishte ndodhur.

 Aty janë ekzekutuar dhe ata të dy.  Tre viktima janë gjetur të vrarë në oborr, ndërsa të tjerët janë gjetur brenda në banesa.


Lexo dhe:  Autori tregon pse kreu masakrën në Vlorë: E akuzuan për vjedhje

                  Zykaj vrau pasditen e së premtes (10 gusht) 8 kushërinjtë e tij

U moren ne pyetje dhe nena e babai i autorit

Ridvan Zykaj u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës për tu marrë në pyetje ndërkohë që gjatë ditës së djeshme në polici ishin shoqëruar dhe nëna dhe babai i autorit

Ata ishin shoqëruar për të mësuar më shumë për shkakun që mund të ketë nxitur të riun të kryente këtë masakër mbi familjarët e tij. Mësohet se e ëma ka treguar se njëra prej grave që është vrarë, pak ditë më parë e kishte akuzuar për vjedhje ordinere që kishte ndodhur në shtëpinë e saj.  Ridvani ishte shoqëruar në polici por më pas  e gjitha është mbyllur këtu, informon gazetarja e Ora News. Jerola Ziaj. 

Ndërkohë një tjetër detaj i treguar nga familjarët ishte se para se të kryente krimin autori ka qenë në nëj festë familjare ku mësohet se kishte konsumuar dhe pije alkoolike. 



Emrat e viktimave:

Demir Zykaj 75 vjeç
Perie Zykaj 72 vjeç 
Azem Zykaj 45 vjeç,
Afërdita Zykaj 42 vjeç, 
Besim Zykaj 43 vjeç,
Vasilika Zykaj 42 vjeç 
Sara Zykaj 16 vjeçe
Ledion Zykaj 8 vjeç



/Ora News.tv/