Arabia Saudite dhe Egjipti kanë rënë dakord të krijojnë një fond të përbashkët prej 10 miliardë dollarësh për të zhvilluar një mega-qytet në gadishullin jugor të Sinait në Egjipt.

Të dyja vendet planifikojnë rreth 1 mijë kilometra katrorë për projektin e ri.

Marrëveshja e investimeve u njoftua të dielën kur Princi Saudit i Kurorës Mohammed bin Salman u takua me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në Kajro. Ishte udhëtimi i parë publik i Bin Salman jashtë vendit që kur u bë trashëgimtar i dukshëm në vitin 2017.

Arabia Saudite dhe Egjipti, respektivisht shtetet arabe më të pasura dhe më të populluara, kanë forcuar lidhjet e tyre strategjike që kur Sisi erdhi në pushtet në 2013.

Mega-qyteti, me sistemin e vet gjyqësor dhe legjislacionin e hartuar për të tërhequr investitorë ndërkombëtarë, do ta përqendrojë zhvillimin tek energjia dhe uji, bioteknologjia, ushqimi, prodhimi i avancuar dhe turizmi, sipas zyrtarëve.

Kjo është pjesë e lëvizjeve të guximshme nga trashëgimtari 32-vjeçar për të ulur varësinë nga nafta.

Pjesë e fondit të ri të Riadit për investime të përbashkëta do të ndihmojë edhe në zhvillimin e pjesës egjiptiane të qytetit që do të quhet Neom.

Arabia Saudite ka në plan të ndërtojë shtatë qytete dhe projekte turistike, ndërsa Egjipti do të fokusohet në zhvillimin e qytete ekzistuese turistike të Sharm El Sheikh dhe Hurghada, tha zyrtari saudit.

Mbretëria do të punojë gjithashtu me Egjiptin dhe Jordaninë për të tërhequr kompanitë evropiane të lundrimit për të operuar në Detin e Kuq gjatë sezonit të dimrit. Riadi po negocion me shtatë kompani të lundrimit dhe ka për qëllim ndërtimin e marinave të jahteve.

Projekti i Detit të Kuq, i përbërë nga rreth 50 ishuj, do të ofrojë një rezervë natyrore, zhytje në shkëmbinj nënujorë me korale dhe vende të trashëgimisë.

Faza e parë e projektit do të përfundojë në vitin 2022.

Riadi dhe Kajroja gjithashtu nënshkruan një protokoll mjedisor të dielën, që synon ruajtjen e shkëmbinjve të koraleve të Detit të Kuq dhe parandalimin e "ndotjes vizuale", tha zyrtari pa dhënë detaje.

Qeveria saudite i ka kërkuar tashmë kompanive lokale të ndërtimit të ndërtojnë pesë pallate në NEOM, njoftoi Reuters muajin e kaluar. Disa kompani, përfshirë Softbank të Japonisë (9984.T), kanë thënë se janë të gatshëm të investojnë atje, por investime të mëdha, konkrete të biznesit ende nuk janë shpallur.

Marrëveshja për të ndërtuar një mega-qytet vjen vetëm tre javë përpara zgjedhjeje presidenciale në Egjipt, ku Sisi synon të sigurojë një mandat të dytë në detyrë, gjë që do ta arrijë lehtësisht për shkak të mungesës së garës së barabartë.

Në shkurt, 14 grupe të të drejtave ndërkombëtare dhe egjiptiane publikuan një deklaratë të përbashkët, duke e akuzuar Sisin se kishte "shkelur të gjitha kërkesat edhe ato më minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme".

/Ora News.tv/