Në takimin e mbajtur në kuadër të javës së ndërgjegjësimit për përdorimin e antibiotikëve, Ministrja Ogerta Manastirliu foli në lidhje masat e marra dhe deklaroi se përgjatë vitit 2018 do të bëhet monitorimi i të gjithë rrjetit të farmacive për të ndaluar dhënien e medikamenteve pa recetë.

Në kuadër të javës së ndërgjegjësimit për përdorimin e antibiotikëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbajti një takim kombëtar ndërsektorial për rezistencën antimikrobike. Ministrja, Ogerta Manastirliu, foli dhe në lidhje masat e marra.

Manastirliu: Masa e parë që është në 50% të implementimit të saj ka të bëjë me instrumentat kirurgjikalë dhe me sterilizimin e tyre. Një masë tjetër që do të ndërmerret gjatë vitit 2018 do të jetë parneriteti që do të krijojmë lidhur me shërbimin e laboratorëve qoftë në spitalet universitare, ato rajonale dhe në dy spitale bashkiake.

Sipas specialistes pranë Institutit të Shëndetit Publik, Lindita Molla, ka rënie të efektit të antibiotikëve në nivel global. Rreth studimit mbi salmonelën ajo theksoi se nuk kemi të bëjmë me situatë shqetësuese.

Molla: Studimi është bazuar në vlerësimin e salmonelës dhe kampilobakterit. Në fund të studimit vlerat kanë qenë goxha domethënëse, rezistenca në produktet ushqimore, në patogenet ushqimorë që janë salmonela dhe kampilobakteri kanë qenë të një niveli jo të ulët. Është referuar që një shtampë i izoluar për salmonelë dhe kampilobakter ka qenë rezistent ndaj katër antibiotikëve.

Ministrja theksoi se gjatë vitit 2018 do të bëhet monitorimi i të gjithë rrjetit të farmacive për të ndaluar dhënien e medikamenteve pa recetë, gjë dëmton shëndetin e pacientit.

/Ora News.tv/