Mario Balotelli drejt rikthimit në Serinë A. Sulmuesi i Italisë, i cili realizoi dhe golin e avantazhit përballë Arabisë Saudite kërkohet nga një mori skuadrash në elitën e futbollit italian dhe nuk është çudi që të rikthehet aty ku nisi karrierën.

Mes skuadrave që synojnë sulmuesin e kombëtares italiane është edhe Napoli, që sezonin e ardhshëm do të drejtohet nga Carlo Ancelotti. Ky i fundit duket se është dakord që sulmuesi të luajë me Napolin sezonin e ardhshëm edhe pse për momentin ai ka 4 sulmues në dispozicion.

Këtë gjë e konfirmon edhe Mino Raiola, menaxheri i sulmuesit: “Mario nuk është një lojtar me parametrin zero, por ky është një problem që e zgjidh unë si menaxher. Ai do të jetë sulmuesi më i fortë në Serinë A, por kërkon një projekt ambicioz dhe me ardhjen e Ancelotti te Napoli gjërat mund të ndryshojnë. Të shohim se sa sulmues do të jenë te skuadra deri në gusht dhe çfarë mendon De Laurentiis. Balotelli me Insigne mund të formojnë një dyshe fantastike”,-tha Raiola.

SuperMario është një lojtar i lirë pas muajit qershor dhe shumë shpejt mund t'i jap zgjidhje të ardhmes së tij.

/Ora News.tv/