BE: Integrimi ka nevojë për kompromis, bojkoti nuk i shërben askujt

BE: Integrimi ka nevojë për kompromis, bojkoti nuk i shërben

Zyrtarët e Brukselit vijojnë të bëjnë thirrje për dialog politik për të zgjidhur krizën e krijuar në Shqipëri. Drejtorja për Ballkanin Perëndimor i kërkon qeverisë dhe opozitës që në fokus duhet të kenë integrimin e vendit. Ndërsa Majlinda Bregu shprehet pesimiste për një vendim për Shqipërinë në qershor, pasi Brexit sipas saj mund të jetë axhenda kryesore e Këshillit Europian.

Përveç plotësimit të 5 prioriteteve që duhet të plotësojë Shqipëria për të marrë një përgjigje pozitive nga Këshilli Europian, kriza politike mund të ndikojë negativisht në vendimin e qershorit.

Zyrtarja e Bashkimit Europian, Angelina Eichhorst, gjatë takimit me shoqërinë civile në Tiranë, ka apeluar klasën politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët të dialogut pasi kjo situatë e krijuar nuk do ta ndihmojë Shqipërinë.

Angelina Eichhorst: Të gjitha palët politike duhet të kenë në axhenden e tyre integrimin e vendit. Duhet ta bëjë të qartë se bojkoti nuk i shërben askujt. Është shumë negative të thuash ne nuk do jemi të pranishëm, ne nuk vijmë. Prandaj qeveria dhe opozita duhet të gjejnë një kompromis për t’i dhënë fund kësaj situate.

Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, edhe pse e njeh mirë Parlamentin shqiptar, nuk preferoi të flasë për krizën politike.

Ndryshe nga përfaqësuesit e Brukselit, Bregu nuk përdori gjuhën diplomatike për të shprehur skepticizmin e vendimit të Këshillit Europian në qershor.

Majlinda Bregu: Jam e bindur që kjo është një kohë  e pasigurisë për të gjithë ne dhe shpresoj shumë që të mos jetë vetëm Brexit, i cili do të eklipsojë të gjithë axhendën e Samitit të Këshillit Europian të qershorit.

Më shumë optimist ishte kryebashkiaku, Erion Veliaj, që gjatë fjalës së tij i kërkoi vendeve të BE mos të kërkojnë perfeksionin te Shqipëria, por ti japin dritën jeshile pasi ajo i ka bërë detyrat e përcaktuara nga Brukseli.

Erion Veliaj: E di, situata nuk është perfekte por perfekte nuk është as Italia, Franca dhe Britania e Madhe. BE duhet të marrë një vendim për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria i ka bërë detyrat e saj.

Si Veliaj edhe Bregu i bënë thirrje përfaqësuesve të Ballkanit që të lënë mënjanë paragjykimet dhe të qëndrojnë të bashkuar për një vizion të përbashkët që të ndërtohen ura reale të bashkëpunimit.

EMISIONET