Vazhdon të përkeqësohet situata nga përmbytjet në tre njësitë administrative të Shkodrës, Ana e Malit, Dajç dhe Guri i Zi. Grupi i vleresimit eshte ne terren dhe me vone pritet nje vleresim i sakte te situates. 

Në Njësinë Administrative Ana e Malit është rritur sipërfaqja e përmbytur dhe niveli i ujit. Në fshatin Obot kalohet me makina ushtrie. Aktualisht jane 3 makina ushtrie, 2 varka me motor dhe 20 ushtarë të cilët janë në gatishmëri për të plotësuar nevojat jetike të banorëve.

Ndërkohë në njësinë Administrative Dajç është rritur niveli i ujit dhe për rrjedhojë ka shtim të sipërfaqes së përmbytur. Rruga Darragjat- Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit. Mund të kalohet vetëm me mjete të larta.

Në njësinë administrative Guri i Zi, në afërsi të malit të Vukatanës, konstatohet një gërryerje (erozion) i madh i tokës bujqësore. Që nga darka e kaluar, janë gërryer afërsisht 3 ha tokë, rreth 800 m gjatësi. Situata vijon të mbahet në monitorim nga Bashkia e Shkodrës, e cila deklaron se eshte e angazhuar me te gjithë strukturat e saj.

/Ora News.tv/