Ambasada e SHBA-së pret hetim të plotë për Ervis Martinaj dhe ish-Ministrin Tahiri

Ambasada e SHBA-së pret hetim të plotë për Ervis Martinaj

Ambasada amerikanë në Tiranë ka nxitur hetimet e Prokurorisë për grupet kriminale në vend.

Duke përshëndetur goditjen dhe dënimin e disa prej personazheve të njohur për policinë, Ambasada pyet: Po tani, kush e ka radhën?

Në mesazhin e Ambasadës të publikuar në fb, thuhet se "Gjykata e Krimeve të Rënda të Shqipërisë dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, por SHBA-të presin përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit".

Më tej Ambasada thekson se dje Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj.

Mesazhi thekson se "SHBA presin hetimin e plotë të tij, ashtu siç presin që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin".

Ambasada amerikane e mbyll mesazhin me garancinë se "Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë".

Javët e fundit, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 55 vjet burg Emiljano Shullazin dhe anëtarët e grupit të tij pas një procesi  të zgjatur që u monitorua dhe nga Ambasada amerikane.

Ndërkohë të hënën, Gjykata e Apelit në Tiranë caktoi masën "burg pa afat" ndaj Ervis Martinajt, të akuzuarit për përplasjen me armë në zonën e Bllokut.
Më herët ndaj tij ishte dhënë masa e arrestit me afat 30 ditor.

Ndërkohë prokuroria ka në shqyrtim, ende pa vendimmarrje, dosjen penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që hetohet për shpërdorim detyre dhe bashëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

EMISIONET