Personat me pushtet apo me para nuk do të kenë mundësi të blejnë vendimet e gjyqësorit të ri në Shqipëri. Ambasada amerikane në Tiranë përmes një video mesazhi shpjegues për reformën në drejtësi thekson se strukturat e reja kanë në përbërje gjyqtarë dhe prokurorë të verifikuar të cilët do të jenë të pavarur në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të krimit të organizuar.

Sistemi i ri i drejtësisë nuk do të blihet në të ardhmen nga personat me para dhe me pushtet. Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një tjetër video shpjeguese për reformën në drejtësi, ku thekson se organet e reja do të jenë të pavarura në vendimet e tyre.

Sipas selisë diplomatike të SHBA, kushtetuta e re siguron që Shqipëria të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të pastër që I janë nënshtruar vettingut.

Ky proces i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve kontrollon aftësinë profesionale, burimet e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe lidhjet me krimin.

Për tu siguruar për cilësinë e vettingut vëzhgues amerikane dhe europianë po ndjekin çdo seancë të procesit me qëllim që ai  të kryhet në mënyrë të drejtë. Sistemi i ri ka krijuar dy organet e reja KLP dhe KLGJ  me gjyqtarë e prokurorë të cilët e kanë kaluar vettingun. Këto institucione janë balancuar edhe me anëtarë nga jashtë sistemit.

Sipas mesazhit të ambasadës, KLP po krijon SPAK-un që do të hetojë zyrtarët e korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar. Ndërkohë KLGJ po krijon Gjykatën Antikorrupsion e cila do ti gjykojë dhe do ti dënojë zyrtarët e korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar. 

Videoja mbyllet me mesazhin se në të kaluarën kushdo që kishte para dhe pushtet mund ta blinte drejtësinë, por tani është e pamundur që kjo të ndodhë.

/Ora News.tv/