Një grup organizatash mjedisore në Rumani kanë hedhur në gjyq kompaninë shtetërore të hidro-energjisë duke ndaluar kështu ndërtimin e një impianti me vlerë 155 milionë euro në Parkun Kombëtar të Grykës Jiu në Karpate, park ky i mbrojtur nga Bashkimi Europian.

“Gryka Jiu, me panoramat e mahnitshme, lumin e fundit që kalon lirshëm përmes Karpateve, pyjet e virgjër, është padyshim një nga vendet më të çmuara të thesarit tonë natyror kombëtar” tha aktivisti Calin Dejeu.

Kompleksi energjetik Bumbesti-Livezeni u lançua në vitin 2003 në Parkun Kombëtar Gryka Jiu në Rumaninë Perëndimore. Ai përbëhej nga dy hidrocentrale, një digë dhe një galeri nëntokësore prej shtatë kilometrash.

Ndërtimi planifikohej të përhapej deri 30 kilometra përgjatë lumit Jiu, që është pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura Natura 2000 të BE-së.

Rreth 85 për qind e ujit do të ishte kanalizuar përmes një sistemi nëntokësor që do ta kalonte në turbina.

Sipas ndërmarrjes shtetërore Hydroelectrica, kompleksi do të gjeneronte 259 GËh në vit, rreth 1.3 për qind të kapacitetit të kompanisë në total.

Rumania është përpjekur gjatë dekadës së fundit të modernizojë sistemin e vet energjetik dhe të gjenerojë më shumë energji, pasi infrastruktura e rrënuar rrezikon të lërë pa energji pjesë të vendit, veçanërisht në kohë krizash.

Dejeu, që nisi një peticion për të shpëtuar parkun kombëtar në vitin 2016, tha se tashmë janë bërë dëme nga ndërtimi i objekteve të kompleksit, por këto janë shumë më të vogla krahasuar me ato që do të bëheshin po të përfundonte projekti.

Mjedisorët argumentojnë se futja nën tokë e lumit për të prodhuar energji elektrike do të merrte ujin nga kafshët e egra në zonë.

Dy OJQ mjedisore, BankËatch dhe Neuerëeg, e paditën kompaninë shtetërore Hidroelectrica në fund të vitit 2016.

Hidroelectrica fitoi gjyqin në shkallë të parë në verën e vitit 2017, por Gjykata e Apelit në Bukuresht në dhjetor i anuloi të gjitha lejet e ndërtimit dhe ndaloi projektin.

Një gjykatë tjetër në Kluzh do të vendosë në mes të marsit nëse do të anulojë lejen e përdorimit të ujit të lumenjve.

Hidroelectrica tha në një deklaratë për mediat të hënën se do të kërkojë rinovim të lejeve dhe rinisjen e punimeve, pavarësisht kundërshtimit nga ambientalistët dhe presionit për të mos ndërtuar. Kompania deklaroi se tashmë ka ndërtuar 85 për qind të termocentraleve.

Kompania gjithashtu theksoi se projekti ishte me rëndësi kombëtare.

“Hidroelectrica do të marrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë për të rifilluar punimet dhe për të përmbushur objektivat në Grykën Jiut”, thuhet në deklaratë.

Sipas mjedisorëve nga Agent Green me bazë në Bukuresht, qeveria zyrtarisht i lajmëroi OJQ-të në fillim të marsit se punimet janë ndaluar plotësisht prej vendimit të gjykatës dhe do të rifillonin vetëm nëse rinovohen lejet e ndërtimit.

Hidroelectrica e ka apeluar vendimin dhe do të mbahet një seancë tjetër më 13 prill.

/BIRN/


/Ora News.tv/