Tingujt e traditës të sjellë në dimensione bashkëkohore.

Artistët Beatrice Gjergji dhe Kolë Laca që prej vitesh jetojnë në Itali janë rikthyer për të rizbuluar ahengun Shkodran, duke e sjellë të përpunuar sipas muzikës elektronike.

Janë ritme të gjalla të cilat e sjellin muzikën shkodrane në shekullin e 21-të, për t’ia përcjellë vargjet dhe tingujt jo vetëm shqiptarëve por edhe të huajve.

Beatrice Gjergji: "Edhe të italianët mbeten të habitur, thonë është gjuhë e shpikur apo reale. Thonë se është gjuhë shumë e bukur dhe melodioze."

Kole Laca: "Këngët shkodrane e kanë këtë meritë, kompozitorët që i kanë realizuar, që nuk e kanë problem të përshtaten në çfarëdo lloj mënyre. Janë gjithmonë të bukura."

Na japin një mesazh të bukur, që ndërsa rinia shqiptare sot po kërkon identitete të reja muzikore, apo priret drejt të ashtuquajturës tallava, ata ruajnë vlerat e trashëguara dhe i sjellin në përshtatje me zhvillimet e kohës.

Beatrice Gjergji: "Kjo muzikë është shumë e bukur, nuk mundet të humbasë."

Kole Laca: "Të them të drejtën nuk e kam pritur reagimin pozitiv të publikut."

Beatrice ka edhe një mesazh që për ta artikuluar më lehtë zgjedh ta bëjë në gjuhën italiane, atje ku jeton prej moshës 6 vjeçare.

Beatrice Gjergji: “Kjo muzikë është shumë e bukur. Bota po fillon të vlerësojë kulturat e popujve. Ka nevojë të flasim për kulturën tonë, pasi në të kundërt humb gjithçka”.

Mbrëmja festive erdhi në natën e parë të festivalit Ekrani i artit.

/Ora News.tv/