Analistët dhe politologët e ftuar në studion e "Tonight Ilva Tare" komentuan vendimin e Departamentit Amerikan për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe familjes së tij

Afrim Krasniqi: Ditën që është larguar ka qenë lajm i mirë për Shqipërinë. Ky ka qenë një nga prokurorët që është paguar nga taksat publike, ka pasur pritshmëri shumë të lartë dhe nuk ka bërë asgjë. Jo vetëm nuk ka bërë asgjë por ka mbyllur çdo dosje korruptive në Shqipëri. Për këtë arsye nuk kishte asnjë lloj sensi që një figure e tillë të stimulohej për të pasur poste politike. Për shkak se kriza parlamentare e dhjetorit u rrotullua rreth emrit të tij, siç duket amerikanët përdorën një lloj zgjidhje në ekstrem për ti dhënë mesazh palëve politike më shumë se Adriatik Llallës. 

Nuk ka njeri në Shqipëri që beson se peshku i madh i Shqipërisë është Adriatik Llalla. Ai është një nga njerëzit. Ndërsa ata që konsiderohen të mëdhenjtë janë  njerëzit që kanë vonuar dhe bllokojnë reformën në drejtësi dhe që kanë mekanizma me të cilat mbajnë peng një sërë procesesh politike në Shqipëri.

Arion Sulo: Është mesazh për klasën politike. Kjo vërtetohet nga reagimi i zotit Llalla në Wall Street Journal. Ai përdor të njëjtën gjuhë politike që politikanët tanë nuk guxojnë ta thonë. Të gjithë palët e kanë frikë reformën në drejtësi. Të gjithë e kanë penguar. Kryeministri ka luajtur shumë mirë në lëmin e propagandës dhe publikisht nuk ka shfaqur pengesa. Ajo çfarë ka bërë PD keq është se kësaj propagande jo vetëm që nuk i është përgjigjur por dhe e ka pësuar pa bërë asgjë, duke bërë dhe më keq. Ka prishur marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Por në çështjen e emrave pas perdes edhe maxhoranca ka bërë të njëjtën gjë.

Anila Basha: Unë i qëndroj idesë që kjo nuk është thjesht për Adriatik Llallën. Kjo është për të gjithë personazhet që nuk kanë lejuar reformën të ecë. Politika. Duke përfshirë këtu edhe kreun e mazhorancës, Rama, duke përfshirë kreun e opozitës Basha dhe pse jo edhe Presidentin. Gjithmonë i kemi bërë këto debatet nëse Lu flet në emër të vet apo Departamenti amerikan i Shtetit. Kur flet Lu, flet DASH. Llalla ndëshkohet dhe për korrupsion vetë.

Afrim Krasniqi: Për shkak se SHBA i ka dërguar mesazhe publike Adriatik Llallës nuk është se i ka hyrë në hak Adriatik Lallës. Ky njeri e meritonte të përgjigjej para drejtësisë por në Shqipëri nuk ka drejtësi prandaj është dhe një mesazh publik. Nëse e marrim në nivel rajonal shikoni cfarë ndodhi me kryeministrin e Kosovës. Kur ai mori nismën për Gjykatën Speciale, pala amerikane i refuzoi vizën dhe udhëtimin në SHBA e bëri në mënyrë publike. Kjo metodikë po përdoret në mënyrë të vazhdueshme. Dhe vitin e kaluar në mënyrë publike u tha se disa zyrtarëve përfshi dhe prokurorëve u është ndaluar viza amerikane. Në një vend normal duhejt ë ndodhin shumë gjëra, por tek ne nuk ndodh për dy arsye: Sepse shumica e ka kuptuar që është mesazh për tre-katër politikanë kryesorë.   Dhe nga ana tjetër vetëm këta politikanë janë në marrëdhënie të tilla me SHBA e perëndimin sa nga njëra anë janë e keqja e madhe e Shqipërisë por nga ana tjetër janë fëmijët e urtë të perëndimit.  Duke qenë të tillë ata kanë një lloj garancie personale. Ditën që SHBA do të aplikojë të njëjtin standard për politikanët e korruptuar të Shqipërisë ajo do të jetë dita e madhe e ndryshimit por nuk besoj se SHBA do të shkojë në këtë pikë.   

/Ora News.tv/