Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) çeli pranë ambienteve të zyrës së saj së pritjes në Tiranë sportelin e shpejtë “ProBiznes”.

Misioni i kësaj zyre është t’u vijë në ndihmë subjekteve tregtare në lidhje me ofrimin e shërbimeve të dedikuara ndaj biznesit.

Zëvendës Kryeministrja Mesi, duke u ndalur tek Reforma në Shërbimet Publike si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Shqiptare që prej vitit 2014-të, theksoi se ky është një proces rrënjësor i ri-ndërtimit të mënyrës sesi ofrohen shërbimet për qytetarët me një përqasje gjithë-përfshirëse dhe të qendërzuar tek qytetari.

Mesi: Të jenë shërbime publike të cilat janë efiçente, transparente. Të kenë në qendër qytetarin dhe sipërmarrësin, të jenë sa më të standartizuara, të dixhitalizuara me qëllim që të ulin korrupsionin. Është shumë e rëndësishme që ne ti shohim shërbimet publike në këtë kuadër.

Ndërsa Anisa Gjika, Drejtoreshë Ekzekutive e ADISA, u ndal tek shqetësimi  i subjekteve tregtare në lidhje me kohën e pritjes në sportel dhe zgjatjen e procedurave.

Gjika: Rezervimi i biletës për të kryer procedura në këtë sportel apo për t’u informuar mbi kartelat e shërbimeve do të bëhet nëpërmjet aplikacionit ADISA Mobile App. Në këtë mënyrë do të reduktohet koha e pritjes së subjekteve tregtare që do të kryejnë aplikime, si dhe numri i personave që presin në radhë për marrjen e shërbimit.

Me hapjen e sportelit “Pro-Biznes”, po vendoset një standard i ri, inovativ në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike.


/Ora News.tv/