Ademi i përsërit kërkesën Prefektit: Shpall emergjencën në Anën e Malit dhe Dajç

Ja rrëzoi në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile, por Voltana Ademi ja ka ripërsëritur me shkresë zyrtare kërkesen për gjendje të jashtëzakonshme në Anë të Malit dhe Dajç, institucionit të prefektit Shkoder.

Argumentimi është i njëjtë, keqmenaxhim i kaskadës së Drinit dhe shkarkime të pakontrolluara që po vënë në rrezik jetën e banorëve të këtyre zonave.

"Në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit. Kërkojmë shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në pjesët e sipërpërmendura të territorit të Bashkisë Shkodër".

E situata në territor nuk paraqitet aspak e mirë, pasi sipërfaqja e përmbytur po vjen duke u zgjeruar.

Administratori i Anës së Malit, Arben Ceni, tregon se janë 1 mijë hektarë tokë në ujë, rrugët dytësore të Obotit të bllokuara, si dhe aksi kryesor kalohet vetëm me mjete të mëdha.

Jashtë funksioni kanë dalë edhe Ujesjellësat e këtyre fshatrave.

Ndihmën kryesore banorëve të Obotit po ua jep ushtria. Reparti i Vau Dejësit ka vënë në dispozicion 20 ushtarë, 3 mjete të larta dhe 2 varka.

Komandanti i batalionit të këmbësorisë Ali Mali, tha se i gjithë ky repart ka kaluar në gjendje gatishmërie, ku nëse situata përkeqësohet do të shtohen trupat në terren.

Banorët tregojnë se përveç tokave nën ujë e dëmeve në bujqësi, rritja e nivelit po u afrohet banesave.

Edhe në Dajç sipërfaqja është zgjeruar me 330 hektarë në ujë, Berdica 20 hektarë dhe Guri i Zi 3 hektarë.

 


EMISIONET