Tregjet financiare dhe ato të sigurimeve mbesin më problematikët përsa i përket zbatimit të rregullave të konkurencës së lirë. 

Në 13 vite të punës, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë 488 vendime, nga të cilat 37 vendimet janë mbi subjektet e kompanive të sigurimeve dhe bankave.

Në total prej këtij Autoriteti janë vendosur 10 milion dollarë gjoba. Megjithatë Zv/kryeministrja, Senida Mesi, theksoi se duhet forcuar roli i këtij institucioni.

Mesi:  Qeveria e Shqipërisë e konsideron themelore ekzistencën e ekonomisë së tregut të lirë të bazuar në iniciativën e lirë të sipërmarrësve, garant i së cilës është respektimi i konkurrencës së lirë mes të gjithë aktorëve të tregut, dhe e vlerëson pozitivisht rolin e Autoritetit të Konkurrencës në sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg, në zbatim të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar. Ne inkurajojmë Autoritetin e Konkurrencës që të përmbushë të gjithë rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë duke monitoruar pa ndërprerje tregjet e ndryshme dhe duke marrë   vendime dhe masa korrektuese të shpejta  dhe të zbatueshme.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, nënvizoi se një monitorim i rreptë i tregut dhe zbatimi i gjobave për shkelësit do të ofrojë më shumë garanci për konsumatorët.

Manja: Në terma ekonomik këto gjoba nuk janë të lehta për t u anashkaluar pasi përllogatiten në baze të xhiros vjetore dhe arrijnë deri në 10 përqind. për një ekonomist nuk është e vështirë për të kuptuar pasojat financiare të një kompanie që gjobitet me këto nivele gjobash ndërsa në terma juridik e rregullon vet ligji pasi i konsideron titull ekzekutiv dhe të gatshme për t u ekzekutuar duke krijuar kështu pasoja të menjëhershme financiare për shoqëritë.

Ndërsa, Russell Pittman, Drejtor i Kërkimeve Ekonomike, në Departamentin e Drejtësisë në e vuri theksin në krijimin dhe ruajtjen e tregjeve të lira por dhe në garantimin e të drejtës së pronësisë.

Pittman: Duhet të kemi gjykata të pavarura dhe të drejta pronësore të themeluara mirë pasi vetëm kështu do të tërheqin investimet private, të huaja dhe vendore, dhe do të krijojnë vende pune. Liberalizimi ekonomik dhe reformat i shërbejnë: mbrojtjes së konsumatorit të dobët nga kartelet, mbrojtjes së fermerëve të vegjël dhe bizneseve nga abuzimet e blerësve dhe furnizuesve dominues, mbrojtjes së konsumatorit nga tarifat e larta, dhe nga politikat dritë shkurtra të qeverive.

Drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës, Juliana Latifi, theksoi se do të ketë një monitorim edhe më të rreptë të tregjeve për të garantuar konkurencën e lirë dhe për të zbuluar e ndëshkuar shkelësit.

/Ora News.tv/