Abuzimet me TVSH-në, ekspertët: Kompanitë me shkelje të përjashtohen 5 vjet nga tenderat

Abuzimet me TVSH-në, ekspertët: Kompanitë me shkelje të

Rritja e abuzimeve me skemat e TVSH-së ka ardhur si pasojë e uljes së pragut të bizneseve që përfshihen në TVSH. Ekspertë të njohur të ekonomisë argumentojnë  se shtimi i biznesve në TVSH e ka vështirësuar punën e administratës tatimore për të kontrolluar. Ekspertët theksojnë se këto skema e dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit dhe sugjerojnë rritje të penaliteteve, por edhe përjashtim të kompanive që kapen me shkelje nga të gjithë tenderat publikë.

Ulja e pragut të bizneseve që përfshihen në skemën e TVSH-së nga 5 mln në 2 mln kanë vështirësuar punën e  administratës tatimore dhe kanë ndikuar në shtimin e skemave mashtruese.

Arben Malaj thekson se rritja e skemave abuzive lidhet edhe me nivelin e korrupsionit në vend, ndërsa sugjeron që të gjitha kompanitë që kapen me shkelje të përjashtohen nga tenderat publikë  deri në 5 vite.

Arben Malaj: Çdo kompani që ka përfituar akses në fondet publike në nivel bashkie, ministrie dhe buxheti qëndror në rast se kapet me një evazion të tillë duhet të përjashtohet 3-5 vjet nga çdo mundësi direkte dhe indirekte për të pasur akses në fondet buxhetore.

Për ekspertin, Selami Xhepa, është e rëndësishme që të rishikohet pragu i TVSH-së për bizneset, një rekomandim ky i bërë edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Selami Xhepa: Është e nevojshme që edhe njëherë të rishikohet tatimi mbi vlerën e shtuar për arsye se përfshirja e një morie të madhe subjektesh e bën pothuajse të pamundur një administrim të mirë dhe efiçent fiskal.

Arben Malaj thekson se Shqipëria ka nevojë për politika të thella fiskale, pasi aksionet e ndërmara nuk kanë sukses.

Arben Malaj: Çdo përjashtim është një gropë e zezë, zëvendëskryeministri, kryeministri në disa raste, ministrja që tregojnë se luftonin informalitetin duke shkuar dyqan më dyqan është njësoj si të shpresosh të fitosh luftën e yjeve.

Ndërsa  Xhepa sugjeron përmirësim të teknologjisë, por edhe trajnime të administratës tatimore.

Selami Xhepa: Duhet që kapacitetet e administratës tatimore për kontroll dhe hetim duhet të fuqizohen.

Ekspertët deklarojnë se skemat e mashtrimit me TVSH-në ndikojnë direkt në buxhet  si dhe dëmtojnë rëndë konkurencën.

EMISIONET