30 punonjës të dy stadiumeve të Shkodrës dhe trajnerët e akademisë Vllaznia, kanë afro 6 muaj pa marrë pagat. Shqetësimin e tyre ja bënë prezent edhe kreut të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Albert Tukaj, gjatë një takimi që zhvilluan me të në mjediset e stadiumit “Reshit Rusi”.

Ata kërkojnë zgjidhje, duke theksuar se çdo ditë dalin në punë dhe në fund të muajit detyrohen të hyjnë borxh për të mbuluar shpenzimet e familjes, pasi nuk paguhen.

Sikur të mos mjaftonte paga bruto, atyre nuk u kalojnë as kontributet shoqërore e shëndetësore.

Mark Sterkaj, punonjës i stadiumit “Loro Boriçi”: "Nuk kërkojmë rroga shtesë, as vjetërsi pune dhe as 15 ditët e pushimit. Kërkojmë rrogën minimale. Asnjë në Shkodër nuk e ka rrogën më të vogël sesa ne dhe nuk na e japim. Këtu punojnë njerëz që janë për bukën e gojës, nuk kanë me çfarë të paguajnë dritat dhe ujin. Nëse sëmuren nuk shkojnë dot në spital sepse nuk paguajnë dot. 

Ka 6-7 vite që ndodhin këto probleme dhe siguracionet nuk paguhen. Punën e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është punë e vështirë por ja kemi dalë. Nuk kërkojmë lëmosh por rrogat tona. Kemi bërë punën, të na paguajnë hakun,"-tha një nga protestuesit.

Kreu i BSPSH, Albert Tukaj thotë se problemi vjen për shkak të Prefektit të Shkodrës që nuk ka miratuar fondin e akorduar të Këshillit Bashkiak për pagesën e punonjësve.

Albert Tukaj: "Para shumë kohësh Këshilli Bashkiak i Shkodrës i delegoi Klubit Vllaznia  450 mln të vjetra që janë shpenzuar deri në muajin qershor. Me një vendim tjetër Këshilli Bashkiak i shkodrësi i delegoi edhe 200 mln lekë të vjetra për fondin e pagave, të sigurimeve shëndetësore të punonjësve që ishin pa paguar. Por fondi nuk i firmos nga Prefekti i Shkodrës me argumenti ligjor se nuk i njeh vendimet  e vjetra të Këshillit Bashkiak. Për shkak të ngatërresave politike primitive këto punonjës janë penalizuar dhe nuk marrin rrogat, pa përmendur se nuk i paguhen sigurimet shoqërore dhe orët shtesë jashtë orarit, si edhe nuk marrin pushimet e përcaktuara nga ligji."

Edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ja faturon prefektit Çesk Millja, që ka bllokuar këtë fond, së bashku me 10 vendime të tjera të këshillit bashkiak.

Demokratja Ademi kërkon t’i gjendet një zgjidhje pasojave që ka shkaktuar kriza politike në Shkodër, pasi qytetarët duan shërbime dhe investime. Ajo pranon se me këshillin e ri bashkiak të dalë pas zgjedhjeve të 30 qershorit nuk ka asnjë kontakt.

Prej marrjes së detyrës, ku u bë edhe betimi, këshilli i ri bashkiak nuk është mbledhur më, duke zhytur në krizë pushtetin vendor, pasi nuk mund të veprohet me asnjë investim të ri.

/Ora News.tv/