“I dashur presidenti Erdogan, kërkojmë të sjellim vëmendjen tuaj tek dëmi që po i bëhet Republikës së Turqisë, reputacionit dhe dinjitetit e mirëqenies së njerëzve, përmes asaj që autoritetet drejtuese për lirinë e shprehjes e konsiderojnë të jetë ndalimi i paligjshëm dhe dënimi i gabuar i shkrimtarëve dhe mendimtarëve.”

Nis kështu një letër e hapur, e nënshkruar nga 38 fitues të çmimit Nobel ndër vite, drejtuar presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, që paralajmëron rrezikun që i kanoset Turqisë për shkak të persekutimit të padrejtë dhe represionit ndaj fjalës së lirë.

Letra e plotë e publikuar në britaniken “The Guardian”, ndërtohet mbi rastet e novelistit dhe gazetarit Ahmet Altan, vëllait të tij Mehmet dhe gazetares Nazli Ilicak, të dënuar me burgim të përjetshëm mbi lidhjen e supozuar me grushtin e dështuar të shtetit në Turqi, verën e 2016. Autorët e kësaj letre, mes tyre edhe Nobeli 2017 i Letërsisë, Kazuo Ishiguro, kritikojnë provat e pavërteta ngritur ndaj 3 të pandehurve, në një gjyq që u tall madje edhe nga publiku. “Të gjithë këta shkrimtarë e kanë kaluar karrierën e tyre duke kundërshtuar puçet dhe militarizimin e çdo lloji dhe ata u akuzuan se kanë ndihmuar një organizatë terroriste dhe kanë inskenuar një grusht shteti,” shkruhej më tej në letër.

Autorët më pas kthejnë vëmendjen e tyre ndaj ngjashmërive mes rastit të Erdogan, i cili u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Stambollit dhe dënua me 10 muaj burgim në prill 1998, për shprehjen e bindjeve të tij. Letra e hapur thekson edhe një fjalim të Erdogan në 2009, se Turqia nuk është më ajo e vjetra, që dënon shkrimtarët e mëdhenj me burg. “Ajo periudhë i përket të shkuarës”, citojnë nobelistët fjalën e Erdogan, ndërsa vërejnë se epoka e re nuk ka, në fakt, asnjë ndryshim.

/Ora News.tv/