Dhjetë prokurorët sqarojnë shortin dhe 'hakmarrjen": Arta Marku po na cënon

Dhjetë prokurorë të Krimeve të Rënda përmes një deklarate publike japin sqarime mbi rrethanat e ngjarjeve të ndodhura gjatë 18 dhe 19 shtatorit që vijuan më pas me urdhrin e firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku për fillimin e hetimit disiplinor ndaj tyre.

Poshtë deklaratës janë emrat e prokurorëve: Olsian Çela, Përparim Kulluri. Arens Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Sonila Muhametaj, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj dhe Behar Dibra dhe ka qëllim bërjen transparente të fakteve për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit.

Deklarata i është drejtuar medias, Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Shqipërisë, Misioni PAMECA, Përfaqësisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Mbledhja e thirrur me telefon dhe shorti

Prokurorët sqarojnë se më 18 shtator ishin njoftuar pëmes një telefoni për mbledhjen që do mbahej po atë ditë në ora 15:00 por pa i treguar se kush do ishte objekti i saj.

"Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , I cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës."

 Më pas drejtuesja Donika Prela kishte shtyrë mbledhje për të nesërmen e datës 19 shtator ora 09:00 për shkak të mungesës së disa prokurorëve.

"Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR" sqarohet në deklaratën publike.

Sipas prokurorëve në fillim të mbledhjes së organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, drejtuesja e komanduar kishte njoftuar  mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë.

Prokurorët kundërshtojnë shortin: Na u kërkua rihetim

Në fillim të mbledhjes prokurorët mësojnë se mbledhja kishte të bënte me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për dosjen penale "Shullazi etj" dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë

"Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë." 

Prokurorët zbulojnë se hedhja e shortit kishte të bënte me krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e dosjes. Ajo që është e çuditshme është fakti se kërkesa vjen në momentin kur dosja ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare. Aq më tepër kur prokurori Besim Hajdarmataj kishte shprehur me shkrim vullnetin për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.

"Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare. Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.

Hedhja e shortit, dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare.

Një kërkesë e tillë, cënonte parimet e nenit 6 të Ligjit no. 97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e prokurorëve, aq më tepër në në një fazë të tillë të procesit, kur hetimi, akuzat, debati gjyqësor, qëndrimet mbi vlefshmërinë e provave dhe vlera e tyre provuese ishin kryer nga prokurorë të tjerë të çështjes."

Largimi nga shorti dhe "hakmarrja"

Deklarata vijon: "Argumentimi ligjor, parimor dhe mbi baza etike nga shumica e Prokurorëve, nuk u mor parasysh nga drejtuesja e komanduar e PKR, e cila kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të debatit, duke nisur procedurën e hedhjes së shortit."

Në këto kushte 9 prej 10 prokurorëve largohen nga shorti. Po këtë ditë kryeprokurorja Arta Marku vendos fillimin e procesit disiplinor për të cilën ata mësuan në media. 

"Duke u ndjerë në kushtet e paligjshmërisë së procesit, pjesa më e madhe prokurorëve, e përbëre nga 9 prej tyre, pasi paraqitën argumentat e tyre, dhe në mungesë vullneti nga drejtuesja e PKR për të diskutuar profesionalisht ligjshmërinë e procesit dhe argumentat, u larguan nga shorti.  Në të njëjtën ditë, më date 19 Shtator 2018, grupi i 10 (dhjetë) prokurorëve u njoh me Njoftimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, për nisjen e një procesi disiplinor kundër tyre vetëm nëpërmjet Mediave" sqarojnë prokurorët në deklaratë.

Më tej ata thonë se njoftimi në fjalë "është në kundërshtim me ligjin; Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të nisur procedim disiplinor deri në krijimin e organeve të reja (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), ndërkohë që vendimi i Gj. Kushtetuese nr. 34, date 10.04.2017, ka shfuqizuar nenet 101 e vijues të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”."

Transferimi

Nuk u mbyll me kaq. 

"Në vijim, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në kundërshtim me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka urdhëruar transferimin e përkohshëm në Berat, Pogradec dhe Kukës të prokurorëve Olsian Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj" sqarojnë më tej prokurorët

Prokurorët e quajnë veprim antiligjor atë të kryeprokurores 

"Për të garantuar pavarësinë e magjistratëve dhe mbrojtjen nga presionet mbi punën e tyre, ligji në fjalë nuk lejon asnjë transferim apo komandim të magjistratëve pa pëlqimin e tyre. Përmes këtij veprimi antiligjor me natyrë ndëshkuese, cënohet tërësisht pavarësia e magjistratëve duke krijuar një precedent të rrezikshëm pasi e kthen organin e prokurorisë në modelin e vjetër hirearkik dhe të centralizuar, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e tjera të reformës në drejtësi."

Deklarata mbyllet duke besuar se kjo deklaratë, është në interesin e transparencës së punës së institucionit të Prokurorisë dhe i shërben zgjidhjes ligjore të rastit në fjalë. 

"Cënimi i parimit të pavarësisë së prokurorëve, dëmton rëndë punën e këtij organi dhe ul besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë" .

Lexo gjithashtu:  Nuk pranoi të niste procedimin disiplinor ndaj 10 prokurorëve, Marku liron nga detyra Sokol Stojani 

Prokurorët padisin Arta Markun e Donika Prelen

"Shullazi" 10 prokurorët letër publike drejtuar BE e SHBA


EMISIONET