1 Maji me protesta, mësues e minatorë në rrugë

1 Maji me protesta, mësues e minatorë në rrugë

Mësuesit, minatorët dhe shoqëria civile zhvilluan protesta në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Me këtë rast ata kërkuan nga shteti më shumë vëmendje, paga më të larta dhe përmirësim të kushteve të punës veçanërisht në aspektin e sigurisë në punë pasi në gjashtë vitet e fundit kanë humbur jetën 112 persona si pasojë e kushteve të rënda dhe mungesës së sigurimit teknik.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Tiranë u përkujtua me protesta. Mësuesit kërkuan më shumë vëmendje nga shteti duke apeluar për pagë më të larta dhe rritje të cilësisë së arsimit.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Vlorë: Zonja Ministre jemi këtu me një kërkesë shumë minimale. Kërkojmë rritje 20% të pagës, ju që nga 2013 e keni rritur vetëm 7%. 20% është vetëm një kafe. Ju nuk mendoni të rrisnin pagat tona, ju mendoni vetëm të bëni korrupsion dhe të shkatërroni arsimin publik. Ju nuk mund ti përgjigjeni kërkesave më minimale që kanë mësuesit. Në MAS po shkatërrohen tekstet, po dalin tekste që janë me vulgarizma dhe gabime shkencore. Po shkatërrojnë arsimin dhe cilësinë e tij. Ju si titullare e këtij institucioni nuk prononcoheni. Ju uroj që këtë ditë ta kaloni mirë duke pirë atë verën e shtrenjtë por dhe me një detyrim që gjitha këto pyetje që ju shtrojmë të na thërrisni ti diskutojmë së bashku sepse përndryshe ne do të përshkallëzojmë protestën tonë në gjithë Shqipërinë me 36 mijë mësues.

Në protestën e zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, mësuesit thanë se ndihen nën presion dhe se drejtorët janë të vendosur nga politika.

Alma Lama: Ministre boll mashtruat me reformat tuaja, janë të dështuara. Përfshini mësuesit në reformat tuaja, boll kopjuat shtetet e zhvilluara. Prej vitesh presim premtimet tuaja të pambajtura lidhur me pagat dhe buxhetin në arsim. Gjithë mësuesit janë të frikësuar për vendet e punës, sepse me Drejtorët politikë vetëm presione shohim në shkollat tona. Kemi 6 vite që na mohoni shpërblimin e fundvitit. Nëse do të kemi një arsim cilësor do të kemi një të ardhme, po vrasim të ardhmen. Ju ftojmë të zhvilloni reforma duke përfshirë mësuesit. Boll me Drejtorë politikë dhe Ministra të importuar, kemi kuadrot tona. Boll me figura të paprovuara.

Në reagim për protestën, Ministria e Arsimit nënvizon se rritja e përvitshme e rrogave të mësuesve do të reflektohet në pagën e prillit që secili mësues do ta ketë në llogari këtë muaj.

Protestë zhvilluan edhe minatorët, të cilët edhe këtë 1 Maj kërkuan statusin që u mundëson më shumë mbështetje sociale.

"I bëj thirrje Kryeministrit t'u japë atë që u takon minatorëve".

Ndërkohë Organizata Politike theksoi se për shkak të mungesës së kushteve dhe sigurisë në punë përgjatë 6 viteve të fundit kanë humbur jetën 112 punëtorë.

Qori: Situata e punës dhe të drejtave të punëtorëve në Shqipëri është kastrofike.Vetëm javën e fundit kanë vdekur së paku katër punëtorë në punë.

Sipas një raporti të Eurostat rezulton se në një vit shqiptarët punojnë rreth 200 orë më shumë se punëtorët e vendeve të Bashkimit Europian por marrin vetëm 25% të pagës së këtyre të fundit.


EMISIONET