Protestë për minatorët që kanë humbur jetën në minierat e vendit dhe për ata që punojnë në fasoneri me pagesa të ulta. Të rinjtë e Organizatës Politike përmes këtij reagimi thanë se njerëzit kanë frikë të reagojnë, ndërsa qeveria nuk e shpalli minimumin jetik.

Në ditën e punëtorëve, të rinjtë e Organizatës Politike protestuan para Ministrisë së Energjitikës dhe në zonën e Kombinatit.

Ata thonë se për 5 vite, 42 minatorë kanë humbur jetën gjatë punës së tyre në miniera, shumica prej tyre për shkak të mungesës së infrastrukturës.

 "Kanë vdekur në punë 42 minatorë. Minierat e Shqipërisë janë kthyer në zgafella ferri ku jeta e minatorit nuk kushton as sa një palë çizme".

Në zonën e Kombinatit ku janë përqëndruar disa biznese fasoneri , të rinjtë aktivistë thanë se ky sektor është ndër më të vështirit dhe më pak të paguarit.

"Punojnë me orare të zgjatura, në kushte të rrezikshme për jetën dhe shëndetin. Këtë 1 Maj ne kërkojmë punë, paga të mjaftueshme, pensione dinjitoze, kujdes shëndetësor, shkollim falas e cilësor, mundësi strehimi dhe ajër të pastër".

Përmes protestës ata kërkuan më shumë punë, më shumë dinjitet, siguri dhe pagesa në punë, ndërsa nga qeveria shpalljen e minimumit jetik.

Ndërsa të paktë ishin njerëzit që iu bashkuan protestës më këtë ditë.


/Ora News.tv/