A e pengon zhvillimin psikologjia e vendit të vogël
Nga: Ardian Civici
- 04/03/2013 11:20

33 ide për zhvillimin, në një kohë kur Shqipëria ballafaqohet si me shenjat e krizës ashtu dhe me potencialin e kalimit nga vend në zhvillim në vend të zhvilluar, do të jetë një agorë e re në MAPO Weekend. Akademiku dhe ekonomisti Adrian Civici do të sjellë një analizë dhe interpretim të asaj që ka ndodhur, po ndodh dhe pritet të ndodhë. Për t’i dhënë shpjegim sloganit tashmë të famshëm të presidentit amerikan Klinton: It’s the economy stupid!

Në Shqipëri, kur flitet për zhvillimin ekonomik e social dhe përmasat e tij, kur analizohen sukseset apo dështimet, kur hartohen strategji apo politika zhvillimi, në fjalorin e klasës politike, opinionin shoqëror apo mendimin akademik, shpesh shfaqet e ashtuquajtura sindroma e vendit të vogël. Diferencat në zhvillim me vendet e tjera në jo pak raste kanë në plan të parë një justifikim: epo, 3 milionë njerëz jemi, kaq janë mundësitë. Edhe kur flitet për sukseset ndeshet e njëjta logjikë: vërtet jemi shumë mbrapa në krahasim me Greqinë, Italinë, Poloninë, Spanjën, Çekinë, Hungarinë apo Portugalinë, por, po ta kthejmë pak kokën mbrapa dhe të shohim se sa kemi ndryshuar që nga 1990-ta, rezultatet janë të dukshme; ato janë vende më të mëdha dhe natyrisht që zhvillohen më shpejt etj. Në literaturën ekonomike dhe debatet bashkëkohore kjo mënyrë të arsyetuari për zhvillimin apo mos-zhvillimin konsiderohet pjesë e asaj që cilësohet si psikologjia dhe mentaliteti i zhvillimit i çdo vendi apo populli. Kur specifikohen faktorët e zhvillimit, teoritë, arsyetimet dhe eksperiencat janë të shumta, duke variuar nga konceptet e determinizmit gjeografik; predestinacionit historik; cilësisë së kapitalit social, institucional e politik te sasia e punës dhe kapitalit që disponon një vend; avantazhet krahasuese e konkurruese; mirëqeverisja etj. Por ekspertët e kësaj fushe evidentojnë dhe një element shumë të rëndësishëm, sindromën e të qenit vend i vogël apo vend i madh e cila reflektohet në ambiciet në vendosjen e objektivave të zhvillimit, frika apo guximi për të ndërmarrë hapat e duhur drejt zhvillimit si dhe në nocionet dhe konceptet frenuese e justifikuese drejt progresit. Kjo konsiderohet si sindroma e vendit apo popullit të vogël apo të madh në këndvështrimin se zgjedhjet dhe vendimet ekonomike strategjike janë vazhdimisht nën influencën e faktorëve psikologjikë.

Eksperienca botërore është e mbushur me shumë shembuj ku dominojnë faktet se vende të mëdha apo relativisht të mëdha si ShBA, Gjermania, Japonia, Franca, Italia, Spanja, Kanadaja, Australia, Anglia, Polonia, Argjentina, Brazili, Rusia etj., si pasojë edhe e sindromës së vendit të madh, kanë qenë dhe janë shumë ambiciozë e kërkues në sasinë dhe cilësinë e objektivave të tyre të zhvillimit, janë shumë kërkues e kritikë ndaj klasave politike dhe institucioneve të tyre publike, ndaj institucioneve shkencore dhe akademike etj. Atëherë, a duhet të konsiderohet si fatalitet dhe pengesë në zhvillim të qenit vend dhe popull i vogël? A duhen reduktuar dhe ridimensionuar ambiciet dhe objektivat e zhvillimit ekonomik e social në përputhje me madhësinë e territorit dhe popullsisë? A duhen pranuar justifikimet e politikës dhe institucioneve publike se kaq janë mundësitë tona, apo apatia dhe mungesa e optimizmit te shumë njerëz që i mundon dhe i sundon psikologjia e frenimit dhe pretendimeve minimaliste kur është fjala për të vlerësuar apo kërkuar një zhvillim më dinamik e cilësor të vendit. Natyrisht që jo!

Zhvillimet e fundit të shekullit XX dhe në këtë fillimshekulli po dëshmojnë për një tendencë dhe realitet të ri. Në këtë botë të globalizuar me mundësi të jashtëzakonshme komunikimi, shkëmbimesh tregtare, informacioni e transferimi njohurish lehtësisht të përvetësueshme e realizueshme, mundësisë për të ofruar shërbime cilësore pa limit distance apo gjuhe, mundësitë për zhvillim janë pa fund. Nocioni i masës dhe vëllimit të territorit dhe popullsisë, po zëvendësohet gradualisht me nocionin e cilësisë dhe inteligjencës në hartimin e politikave të rritjes dhe zhvillimit, kompromiseve të mëdha politike e sociale, performancën e institucioneve, optimizmin dhe besimin e qëndrueshëm në arritjen e rezultateve, cilësinë e arsimimit dhe konsolidimit të kapitalit social etj.

Kjo ka bërë që vende të vogla si territor apo popullsi ta thyejnë mitin e të mëdhenjve, bile dhe t’i kalojnë ato në shumë tregues të zhvillimit ekonomik e social. Singapori, Tajvani, Koreja e Jugut, Kili, Zelanda e Re, Sllovakia, Sllovenia, ishujt Maurice, Lituania etj., të ashtuquajturit tigra, luanë apo dragonj të Azisë, Europës apo Amerikës Latine, me rezultatet e tyre spektakolare dëshmuan se sindroma e vendit të vogël mund të tejkalohej me sukses. Por, edhe n.q.se ne shqiptarëve vende të tilla na duken larg dhe shumë të ndryshëm në realitetet historiko-politike e sociale, tigrat ekonomikë kanë filluar të shfaqen dhe në Europë, në vende që nuk dallojnë shumë nga ne si për afërsinë gjeografike ashtu dhe për trajektoren ekonomiko-politike e sociale të shekullit XX.

Në literaturën e specializuar apo në dokumentet e institucioneve ndërkombëtare të zhvillimit tashmë gjen rëndom cilësime të tilla si tigri kelt, kur është fjala për Republikën e Irlandës; tigri i tatrave, kur flitet për Sllovakinë; dragoi i Baltikut, kur flitet për Lituaninë; puma e Europës Qendrore, kur flitet për Republikën Çeke; tigri slloven, kur flitet për Slloveninë etj. E pra, janë vende me 2, 3 apo 5 milionë banorë dhe 20, 30 apo 50 mijë km2 që këto 10-20 vitet e fundit kanë arritur rezultate spektakolare në zhvillimin e tyre ekonomik e social. P.sh. Sllovakia, edhe pse po vuan pasojat e krizës globale financiare të viteve 2007-2012, përsëri vazhdon t’i impresionojë ekspertët e zhvillimit me ecurinë e saj: bazuar në një fuqi punëtore mjaft të kualifikuar, në paga relativisht të ulëta, në një taksë të sheshtë prej 19% deri në fund të vitit 2012 (në janar 2013 vendosi të aplikojë një taksë progresive për të ardhurat dhe fitimet të cilësuar si “shumë të larta”) dhe në një politikë e legjislacion punësimi fleksibël, vendi tërheq me shumicë investime dhe kompani të mëdha e prestigjoze ndërkombëtare si Volkswagen, Peugeot, Citroen, Hundai, Nestlé, Bosch-Siemens, L’Oreal, Adidas AG, ENEL Spa, KIA Motors, Ford, Panasonic, Samsung etj. T’i analizosh të gjithë vendet e vogla të kësaj kategorie është e vështirë dhe kërkon shumë vend e kohë, por të japësh në mënyrë të sintetizuar eksperiencën e Irlandës apo tigrit kelt, është një mënyrë e mirë për të dëshmuar sesi mund të zhvillohet një vend i vogël.

Kur je i vogël është mirë të jesh sa më inteligjent… Kjo është shprehja që irlandezët e kanë shumë për zemër dhe që shpreh më së miri psikologjinë dhe filozofinë e zhvillimit që mbretëron aktualisht në Irlandë. E cilësuar tashmë prej më shumë se 10 vjetësh si tigri kelt, me një popullsi aktuale prej 3.8 milionë banorësh, Irlanda vlerësohet nga specialistët si nxënësi më i dalluar i ekonomisë europiane. Profili i saj historik rural e bujqësor, historia e mbushur me emigracion konstant të popullsisë, konfliktet e brendshme politike etj., tashmë i përkasin historisë dhe konsiderohen të superuara totalisht si tipare. Dhe kriza financiare e viteve 2007-2011, që u duk se do ta gjunjëzonte tigrin kelt, se “do t’i jepte fund besimit te modeli neoliberal, duket e tejkaluar dhe e specifikon Irlandën si modeli që dëshmon se e gjithë zona euro, nëse respekton me rigorozitet dhe vizionin e duhur reformat strukturore, ka një të ardhme të sigurt. Që prej 15 vjetësh Irlanda ka një rritje ekonomike konstante që varion në shifrat 7-8%, përqindjen e papunësisë më të vogël në Evropë dhe një buxhet publik krejtësisht të balancuar. Irlandezët kanë tashmë një nivel jetese real më të lartë se Anglia dhe njëkohësisht më të lartë sesa mesatarja europiane. Produktiviteti dhe rendimenti i punës së një të punësuari në Irlandë është nga më të lartët në Europë dhe trendet e ecurisë së saj tregojnë për një afrim të shpejtë të saj me indikatorët analogë të ShBA-ve.

Ekspertët e zhvillimit në tërësinë e faktorëve pozitivë evidentojnë si më të rëndësishëm “thithjen masive të investimeve të huaja direkte, tërheqjen e mjaft firmave e bizneseve nga më performantet dhe më të rëndësishme të botës, sistemin fiskal nga më të thjeshtët dhe më të ulët në botë, në raport me investimet e huaja direkte në veçanti, por dhe për çdo lloj investimi privat në përgjithësi, dhe një treg pune nga më fleksibël në botë”. Për irlandezët më të rëndësishme se këta faktorë është energjia, besimi dhe optimizmi i popullsisë. Strategjia apo “inteligjenca irlandeze” mbështetet që prej disa dekadash në katër elemente themelore: (1) politika tregtare; (2) politika industriale; (3) politika fiskale, dhe (4) politika arsimore apo edukuese. Që në fillim të viteve ‘90, Irlanda spikati si vend që favorizonte maksimalisht politikat liberale të hapjes së tregjeve, që braktisi shpejt mentalitetin dhe praktikat e politikave dhe masave proteksioniste, që adoptoi si filozofi sunduese qëndrimin se konkurrenca e produkteve të huaja në tregun tënd të brendshëm, më shumë sesa dëmtuese për ekonominë vendëse është e favorshme për përmirësimet teknologjike dhe rritjen e performancës së saj për ta përballuar këtë konkurrencë, duke garantuar kështu një nivel të lartë produktiviteti në periudha afatgjata. Refreni i politikave tregtare: kërkesa për politika proteksioniste mund të inspirohet nga dëshira për mbrojtjen e tregut të vogël të brendshëm, por ajo pengon ekonominë dhe eksportet irlandeze që të kenë akses në ekonominë dhe tregjet botërore. Problemet e konkurrencës në tregun tënd të brendshëm mund të zgjidhen me sukses duke favorizuar eksportet, dhe Irlanda shquhet për politika të suksesshme në favor të eksporteve, duke arritur që në dekadën e parë të shek. XXI të ketë një vlerë eksportesh të barabartë me 90% të PBB. (Thjesht për krahasim, Shqipëria aktualisht ka një vlerë eksportesh të barabartë me rreth 15% të PBB së saj).

Politika ekonomike dhe industriale irlandeze është bërë sot sinonim i favorizimit të qarkullimit të lirë të investimeve të huaja dhe atyre private. Mbas abrogimit të Control of Manufactures Act, Irlanda aplikoi një politikë industriale “miqësore” në raport me investimet e huaja. Ky zhvillim, përveç hapjes totale ndaj IHD; së pari, u shoqërua me një eficencë të shkëlqyer administrative të institucioneve publike në trajtimin e kërkesave dhe plotësimin e kritereve të kapitalit të huaj; së dyti, u kompletua me një paketë të kompletuar nxitësish e favorizuesish fiskalë; së treti, u hoqën të gjitha kufizimet për transferimin dhe nxjerrjen jashtë Irlandës të fitimeve të firmave dhe ndërmarrjeve të huaja; së katërti, u favorizuan në mënyrë speciale ato firma e kompani të huaja që investonin në zonat periferike apo të varfra. Një element i rëndësishëm ishin edhe politikat shumë të orientuara në favor të përmirësimit dhe kompletimit të infrastrukturave të transportit dhe komunikimit ndërmjet Irlandës dhe vendeve të tjera, si dhe adoptimin e një situate stabël afatgjatë në lidhje me rregullat juridike dhe administrative sa u takon investimeve të huaja dhe biznesit vendës.

Një vend të veçantë në suksesin irlandez zë dhe politika e saj arsimore. Që prej viteve ‘70, prioritet i politikave arsimore ka qenë vazhdimisht cilësia e arsimit të mesëm dhe atij universitar me objektiv kryesor nxjerrjen e të rinjve sa më të arsimuar e cilësorë në profesionet e tyre. Analiza e buxheteve publike dhe përparësive të qeverive irlandeze tregon qartë se sa i rëndësishëm konsiderohet arsimi i të rinjve dhe cilësia e universiteteve. Sipas statistikave ndërkombëtare të nivelit të kompetencave, performanca e studentëve irlandezë është sot më e lartë se ajo e studentëve kanadezë, spanjollë, portugezë, holandezë, belgë, italianë, rusë etj. Programet universitare favorizojnë kurse cilësore të përqendruara dhe thellësisht aplikative, të cilat i krijojnë mundësi studentëve që të ingranohen shpejt në tregun e punës dhe të jenë të kërkuar edhe nga firmat e bizneset e huaja që operojnë në Irlandë. Pikërisht për këtë arsye, Irlanda evidentohet dhe si një nga vendet me emigracionin më të vogël të personave të kualifikuar nga vendi.

Në fillim të viteve ‘90, filozofë, sociologë e ekonomistë të shquar filluan të flisnin gjithnjë e më shumë për eficencën në zhvillimin ekonomik e social që mund të ketë një shoqëri e caktuar në rast se të gjiths elementet e kapitalit human gjejnë gjuhën e përbashkët dhe koordinohen ndërmjet tyre, duke përkufizuar kështu një nocion të ri, atë të “kapitalit social”dhe duke e vënë këtë nocion në qendër të analizave të nivelit të zhvillimit ekonomik e financiar të vendeve e popujve të ndryshëm. Shembulli më tipik që ofrohet në përgjigje të pohimit se kapitali social është një forcë zhvillimi është krahasimi i ecurisë ndërmjet vendeve. Në vitin 1990, Irlanda ishte në të njëjtin nivel me Portugalinë, Greqinë, Spanjën etj., përsa i përket treguesve kryesorë makroekonomikë, veçanërisht Prodhimit të Brendshëm Bruto për banor, por 20 vjet më vonë Irlanda rezulton të ketë ecur shumë më shpejt se këto vende, duke krijuar një distancë të konsiderueshme, ndërkohë që vendet kishin pasur të njëjtën shkallë përfitimi në terma financiarë nga fondet strukturore europiane. Sipas analistëve europianë të zhvillimit, diferenca mund të shpjegohet pothuajse tërësisht me efektin pozitiv të kapitalit social (besim i lartë ndërmjet industrisë dhe bankave, ndërmjet qytetareve dhe institucioneve, respektim i kompetencave ndërmjet pushteteve, interes i lartë publik e pjesëmarrje aktive qytetare në problemet e zhvillimit etj.) dhe kapitalit human (kapaciteti i lartë novator i biznesit dhe futja masive e teknologjive të reja, financimi me prioritet i ekonomisë së dijes dhe informacionit, zhvillimi i kërkimit, cilësi e lartë e universiteteve etj.).

Kjo eksperiencë pozitive e reflektuar në disa vende të vogla, por në rrugën drejt një zhvillimi ekonomiko-social të shpejtë e të qëndrueshëm, mund të përmblidhet në atë që evidentohet si leksioni i leksioneve për një vend të vogël por inteligjent dhe ambicioz:

Dhënia e provave për vendosmëri të palëkundur në dëshirën për zhvillim; ndjenja e përbashkët e përgjegjësisë për sukseset apo dështimet në sferën e zhvillimit; respektimi në mënyrë konstante i objektivave prioritarë dhe politikave afatgjata sidomos ato strukturore; durimi i nevojshëm i popullsisë dhe politikës për t’i pasur në mënyrë sa më normale dhe të qëndrueshme rezultatet e pritura; konsensusi; serioziteti dhe profesionalizmi i klasës politike në trajtimin e çështjeve të zhvillimit; dhe, kuptimin e drejtë e të saktë të përmbajtjes së tij; pranimi nga ana e saj e çdo lloj marrëveshjeje dhe kompromisi politik e social në emër të zhvillimit të vendit. Horizonti i politikave të suksesshme të zhvillimit dhe i fryteve të tyre i kalon ndjeshëm mandatet elektorale të forcave të ndryshme politike në vend, duke e nxjerrë në plan të dytë apo të tretë luftën politike pa kompromis thjesht për të fituar zgjedhjet e radhës.

Burimi : mapo.al

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Current ye@r *